Shqipëria

Përplasjet në PD: Debatet virtuale mes Bashës dhe Berishës zbresin në rrugë


Klima e tensionuar brenda Partisë Demokratike, është transferuar në rrugë ku mbështetës të ish-liderit demokrat, Sali Berisha, kanë kërkuar që të ballafaqohen me kryedemokratin Lulzim Basha.

Fillimisht, Basha kishte thirrur një takim me anëtaret e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë.

Në vendin ku ishte caktuar mbledhja, gjendeshin mbështetës të Komisionit të Rithemelimit dhe kauzës së tyre.

Me pankarta në duar ata u përballën me Bashën në distancë, ndërsa ky i fundit iu përgjigj vetëm me “dy gishta lart”.

Reagimi i tij ndaj ofendimeve dhe sulmeve verbale u pasua me një deklaratë që të ndalin “gjuhën e urrejtjes”.

“Ndalni sa nuk jeni vonë, ua them qetësisht, por vendosmërisht, gjithçka iu fal, por nuk iu fal dhunën e gjuhës së urrejtjes ndaj demokratëve”, do të shprehej numri një i selisë blu,

Sipas tij, dora është e shtrirë, pasi kjo është detyra e tij dhe e çdo drejtuesi.

“Do t’i dëgjojmë të gjithë ata që nuk e kanë humbur arsyen, ose që e kanë humbur dhe i është rikthyer, për të kuptuar që këtë betejë nuk është për fatin e  një njeriu”, ravijëzoi kreu demokrat.

Ndërkaq, Berisha në krahun tjetër vijonte postimet në median sociale “Facebook”.

Pamjet e video-ve amatore shfaqnin mbështetës të tij, teksa godisnin me vezë eskortën që shoqëronte Bashën.

Edhe në orët e pasdites, simpatizantët e Berishës, përndoqën sërish kryedemokratin.

Ky i fundit po zhvillonte një takim tjetër me anëtarë të degës numër 7 në një nga hotelet e kryeqytetit.

Në rrjetin social Twitter do të reagonte edhe numri dy i PD-së, Gazment Bardhi.

Për sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, pamjet ishin të shëmtuara dhe të turpshme.

Madje, Bardhi akuzon Berishën duke i konsideruar mbështetësit e tij si “vullnetarët shëtitës të Enverit”.

“Çfarë shëmtije, çfarë turpi! 20 antimitingashët, si vullnetarët shëtitës të Enverit, jo vetëm model i vjetëruar dhe vetëdiskretitues, por prova më kuptimplotë se e shkuara duhet lënë pas përgjithmonë”, nënvizoi sekretari demokrat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore