Lajme

Përplasje diplomatike Itali-Turqi


Një përplasje diplomatike ndodhi midis Turqisë dhe Italisë, pasi kryeministri i Italisë, Mario Draghi, akuzoi presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan se poshtëroi presidenten e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen. Draghi e cilësoi Erdogan-in një “diktator… për të cilin kemi nevojë”.

Presidentja e KE-së mbeti pa karrige gjatë takimit që zhvilloi më 6 prill me presidentin turk dhe presidentin e KE-së, Charles Michel.

Më 8 prill, Draghi u tha gazetarëve: “Nuk jam dakord me sjelljen e Erdogan-it ndaj presidentes, Von der Leyen. Mendoj se nuk ishte sjellje e përshtatshme. U ndjeva keq për poshtërimin që Von der Leyen pësoi”.

Pas prononcimit të Draghi-t, ambasadori Italian në Ankara u thirr në Ministrinë e Jashtme. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu ministri i Jashtëm i transmetoi kritikat ambasadorit italian.

“Dënojmë me forcë ligjërimin e papranueshëm, populist të kryeministrit italian Draghi dhe komentet e tij të shëmtuara dhe të shfrenuara në lidhje me presidentin tonë të zgjedhur”, shkroi Çavuşoğlu në Twitter.

Më 8 prill, Çavuşoğlu deklaroi se vendet e takimit ishin rregulluar në përputhje me kërkesat e bllokut dhe protokollin ndërkombëtar dhe se Turqia po i nënshtrohej “akuzave të padrejta”.

Turqia këmbënguli që kërkesat e protokollit të BE-së të zbatoheshin.

Edhe pse kreu i protokollit të Këshillit të BE-së tha se ekipi i tij nuk kishte qasje, gjatë inspektimit  përgatitor turk, në sallën ku ndodhi incidenti.

“Nëse do të kishim vizituar dhomën ku ndodhnin takimet dyshe, duhet t’u kishim sugjeruar mikpritësve tanë që, si mirësjellje, të zëvendësonin divanin me dy kolltukë për presidenten e KE-së”, shkroi Dominique Marro në një shënim publik nga Këshilli i BE-së. Ai shtoi se incidenti mund të ishte nxitur nga urdhri i protokollit i vendosur nga traktati i BE.

Ky incident ndodhi vetëm disa javë pasi Erdoğan-u nxori Turqinë nga një konventë kyçe evropiane që synonte luftimin e dhunës ndaj grave. Kjo dalje nga konventa ishte një goditje për lëvizjen e të drejtave të grave të Turqisë, e cila thotë se dhuna në familje dhe vrasjet e grave janë në rritje.

Gjatë vizitës së saj në Ankara, Von der Leyen i bëri thirrje që Erdogan të kthejë vendimin e tij për t’u tërhequr nga konventa e Stambolli. Kjo konventë u quajt me emrin e qytetit turk, ku edhe u nënshkrua në 2011.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore