Aplikacione

Përpjekja e radhës nga Whatsapp-i


Whatsapp-i ndërmerr përpjekjen e radhës për të bindur përdoruesit për kushtet e privatësisë duke filluar me shfaqjen e një alarmi mesazhesh brenda aplikacionit.

Agjensia e lajmeve, BBC, shkruan se përmes alarmeve aplikacioni synon të inkurajojë përdoruesit të mësojnë më shumë për përditësimet dhe për gjërat që nuk po ndryshojnë në aplikacion.

Shfaqja e mesazheve informuese, përpos shfaqjes në seksionin e bisedave, do të jenë të pranishme edhe në veçoritë e Status-it.

Sipas BBC, kushtet e reja pritet të nisin më datë 15 të muajit maj.

Kjo përpjekje e Whatsapp-it pason angazhimin e vazhdueshëm të aplikacionit lidhur me mënyrën se si do të njoftohen përdoruesit për përditësimet dhe kushtet e privatësisë.

Përdoruesit reaguan ashpër ndaj kushteve të reja që ndoqi Whatsapp-i në fillim të muajit janar, kur miliona prej tyre shkarkuan apikacione të tjera konkurrente me të.

Situata e krijuar ndodhi për shkak të një njoftimi të Whatsapp-it se do të shpërndante disa nga të dhënat e përdoruesve të tij me platformën Facebook, e cila ka në pronësi aplikacionin.

Vetë aplikacioni e interpretoi situatën si “keqinformim” lidhur me ndryshimin e ndërmarrë në kushtet e privatësisë me arsyetimin se përdoruesit e kishin pranuar vetë shpërndarjen e të dhënave me Facebook-un.

Sipas BBC, aplikacioni Whatsapp ka deklaruar se të dhënat që do të ndahen me kompaninë mëmë nuk përfshijnë mesazhet, grupet dhe thirrjet. Ndryshimet e kushteve të privatësisë kanë të bëjnë me lejimin nga ana e përdoruesve për të dërguar të dhëna të bizneset të tilla si adresa dhe informacione lidhur me llojin e telefonit.

Gjithsesi, në vendet evropiane dhe në Mbretërinë e Bashkuar ku ekzistojnë ligje të ndryshme lidhur me privatësinë, politika e re e Whatsapp-it nuk vihet në zbatim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore