Aplikacione

Përpjekja e Facebook për të ndrequr ndërprerjen masive


Ndërprerja e zgjatur globale e aplikacioneve të Facebook i shkundi inxhinierët e kompanisë të përpiqen të rregullojnë çështjen në një nga qendrat e saj të të dhënave në Kaliforni.

Kjo sipas dy njerëzve me njohje mbi çështjen, të cilët kanë folur për faqen e teknologjisë, “The Verge”.

Ndërprerja, e pasdites së 4 tetorit, hoqi të gjitha aplikacionet e Facebook – përfshirë Instagram dhe WhatsApp – globalisht, duke prekur miliarda përdorues dhe miliona reklamues.

Brenda kompanisë, ndërprerja prishi thuajse të gjitha sistemet e brendshme që punonjësit përdorin për të komunikuar dhe punuar.

Për “The Verge”, disa punonjës kanë treguar se ata filluan të bisedonin përmes llogarive të tyre të postës elektronike në Outlook pasi Facebook kryesisht funksionon në një version të brendshëm të rrjetit social që nuk ishte i arritshëm.

Teksa punonjësit mund t’i dërgonin njëri-tjetrit email, ata nuk mund të dërgonin ose të merrnin email nga adresa të jashtme.

Edhe pse Facebook kërkon që punonjësit të regjistrohen me llogaritë e tyre të punës për të hyrë në mjete të tilla si Google Docs dhe Zoom, as këto shërbime nuk funksiononin, duke bërë që disa punonjës të përdornin shërbime alternative si FaceTime dhe Discord të Apple.

Ndërkaq, punonjësit që ishin vërtetuar me mjete jo-Facebook si Google Docs para fillimit të ndërprerjes, ende kishin qasje.

“The Verge” zbulon se inxhinierët e Facebook u dërguan në një nga qendrat kryesore të të dhënave amerikane në Kaliforni për të rivendosur shërbimin.

Kjo do të thotë se rregullimi nuk mund të kryhej nga distanca.

Ndërprerja gjithashtu prishi përkohësisht edhe aftësinë e disa punonjësve për të hyrë në ndërtesat e kompanisë dhe sallat e konferencave me simbolet e tyre.

Menjëherë pas rivendosjes së shërbimit, në një email drejtuar punonjësve, shefi i teknologjisë Mike Schroepfer, ka thënë se çështja “po ndikonte në shtyllën tonë të rrjetit që lidh të gjitha qendrat tona të të dhënave së bashku”.

“Nëse nuk jeni duke punuar në mënyrë aktive për rimëkëmbjen, ju lutemi bëni durim dhe mos nxitoni të ngarkoni gjithçka për të parandaluar ngadalësimin e sjelljes” të rrjetit, ka paralajmëruar ai.

Më parë, zëvendëspresidenti i Infrastrukturës në Facebook, Santosh Janardhan, publikoi një postim në blog, duke thënë se ndërprerja ishte rezultat i një “ndryshimi të gabuar të konfigurimit”.

Ai ka shtuar se kompania “nuk ka prova që të dhënat e përdoruesve janë komprometuar si rezultat i kësaj joproduktive”.

“Ekipet tona inxhinierike kanë mësuar se ndryshimet e konfigurimit në ruterët e shtyllës që koordinojnë trafikun e rrjetit midis qendrave tona të të dhënave shkaktuan probleme që ndërprenë këtë komunikim”, ka shkruar Janardhan.

Gjithashtu ka sqaruar se kjo ndërprerje në trafikun e rrjetit pati efekt në mënyrën se si “komunikojnë qendrat tona të të dhënave, duke i ndalur shërbimet tona”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore