Lajme

Përparim Rama: Sot fillon një epokë e re


Kryetari i ri i komunës së Prishtinës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama

“Sot fillon një epokë e re, ajo në të cilën ne të gjithë, bashkë, do t’i dalim zot vetvetes”.

Kështu është shprehur Kryetari në ardhje në Komunën e Prishtinës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Fitoren si kryetar i kryeqytetit ia dedikon secilit banor, duke thënë se e njëjta nuk do të ishte e mundur pa besimin e qytetarëve dhe atyre që e ndihmuan gjatë kësaj kohe.

“Prishtina ime e zemrës. Kjo fitore është e jotja. Sot fitoi secili banor, në qytet e në çdo fshat. Kjo fitore nuk do të ishte e mundshme pa besimin dhe angazhimin maksimal të një mori njerëzish që më besuan e më ndihmuan në sipërmarrjen time të fushatës. I jam thellësisht mirënjohës për punën e palodhshme ekipit tim të mrekullueshëm”, shkroi ai.

Përparim Rama, kryetar i ri i Prishtinës

Siç potencoi Rama, “vota jote më fuqizon me privilegjin e të qenit Kryetar i Prishtinës, e që nuk është Kryetar veç i një tjetër komune, po i vetë kryeqytetit të Kosovës”.

“Të kryeqytetit, që ka zgjedhur zhvillimin dhe transformimin, dhe që duke qenë i krejt Kosovës, ka për ta llogaritë gjithë Kosovën në planifikimin e vet të gjithmbarshëm komunal”.

“Ju përulem para privilegjit e përgjegjësisë që ma keni dhënë. Ju përulem me sinqeritet e me shumë dashuri, dhe ju jap fjalën që secilën ditë si kryetari juaj do të punoj për jetësimin e plotë të krejt projekteve që i kam premtuar”, shtoi Rama.

Përparim Rama, fitoi garën si kandidat për kryetar të kryeqytetit, duke mundur kundër-kandidatin e tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitinë.

Ai, timonin për qeverisje si i pari i Prishtinës e mori duke siguruar 40 mijë e 659 vota apo 51.07 për qind të totalit të votave.

Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Përparim Rama, i cili do ta udhëheqë Prishtinën për katër vitet e ardhshme, ka arritur të grumbullojë një mijë e 701 vota më shumë se kundër kandidati i tij, Arben Vitia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore