Shqipëria

Përmbytjet në vend: Emergjencë edhe për sektorin e mbetjeve urbane


“Situata e përmbytjeve në vend ka krijuar një emergjencë edhe përsa i përket sektorit të mbetjeve urbane. Ky është momenti që t’i vlerësojmë përpjekjet për ndërtimin e politikave të drejta në menaxhimin e tyre”.

Kjo ka qenë deklarata e Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosit në një takim online me Ambasadorin Gjerman, Peter Zingraf, mbi sektorin e mbetjeve të ngurta.

Klosi tha se vazhdojmë të kemi një numër të madh vendesh, në të cilat depozitohen mbetjet urbane të njësive administrative, sidomos të ish-komunave pranë lumenjve.

Kur uji të mos jetë më, ne do të kemi përsëri një tragjedi mjedisore të shtretërve të lumenjve dhe bregdetit shqiptar. Zbatimi i dokumentit të politikave strategjike kërkon hartimin e planeve rajonale dhe zonale për çdo zonë të menaxhimit të mbetjeve”, theksoi Klosi.

Sipas problematikave të identifikuara në fushën e menaxhimit të mbetjeve, nevojat nuk janë vetëm për rehabilitimin dhe mbylljen e të gjithë vend depozitimeve të identifikuara, por edhe për zhvillimin e infrastrukturës.

Ambasadori gjerman është shprehur i gëzuar për këtë takim.

“Ne do ta suportojmë qeverinë shqiptare në emër të projekteve të tjera që do të zhvillohen në këtë fushë”, theksoi Zingraf. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore