Shqipëria

Përmbytje në Shqipëri dhe Kosovë nga reshjet e dendura të shiut


Qytete të ndryshme në Shqipëri dhe Kosovë u zgjuan të shtunën e 17 shtatorit nën regjimin e dendur të shirave.

Raportimet e para zyrtare nga ana e autoriteteve flasin vetëm për dëme materiale dhe asnjë viktimë.

Tropoja shpalli e para në orët e para situatën emergjente pas stuhive dhe rrebesheve dy ditore.

Lajmi u bë i ditur nga kryebashkiaku Rexh Byberi.

Sipas tij, shiu i pandërprerë – shoqëruar me stuhi e rrebeshe – solli dëme të mëdha në Tropojë.

“Gjendja më alarmante është në fshatin Vlad por pothuajse në të gjithë territorin e bashkisë përshkallezimi po shkon drejt një katastrofe natyrore”, shkruante administratori i qytetit.

Prefekti i qarkut të Kukësit, Ali Hallaçi konfirmoi për transmetuesin “Euronews Albania” se fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz nga përmbytjet në Tropojë.

Më herët, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) ngriti alarmin për intensitetin e reshjeve.

“Në qarqet Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Kukës, Dibër dhe Durrës”, vërente njoftimi i IGJEUM-it.

Instituti theksonte gjithashtu se në qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër si rezultat i reshjeve intensive pritet të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.

Përmbytje edhe në Shqipëri: Fshatra pa rrymë në Elbasan, gjendje emergjente në Tropojë e Lushnje - Periskopi

Situata e qyteteve

Stuhia përfshiu edhe qytetin e Fierit, ku nuk pati problematika infrastrukturore apo dëme materiale në bujqësi.

Në Mallakastër u regjistruan reshje shiu, por nuk ka pasur problematika si ndërprerje te energjisë elektrike apo bllokime rrugësh.

Reshjet e orëve të para të mëngjesit kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të Roskovecit si Suk1 dhe Suk2, Kurjan.

Para stuhisë, OSHEE-ja ndërpreu energjinë elektrike në zonat problematike.

Në Shkodër reshjet intensive të shiut pasuan me shtimin e nivelit të lumit Kir.

Sipas informacioneve të para, në disa akse rrugore ka prani të gurëve, pas rrëshqitjes së dherave.

Në bashkinë e Malësisë së Madhe janë të bllokuara rrugët Tamarë- Vukël si dhe në Vermosh Njësia Administrative Kelmend.

Reshjet e shiut shkaktuan probleme edhe në qytetin e Lushnjës, duke përmbytur akset rrugore.

Reshje të dendura shiu, përmbyten disa rrugë në Lushnje - Top Channel

Bulevardi kryesor i qytetit u bllokua për shkak të nivelit të lartë të ujit (30 centimetra).

Përkeqësimi i motit solli edhe pezullimin e lundrimit të varkave të vogla dhe anijeve të peshkimit në Vlorë, Durrës dhe Shëngjin.

Anijet e pasagjerëve dhe të transportit do të vijojnë lundrimin normalisht.

“Njoftohen të gjithë drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe të merren masat për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë datave 17 shtator 2022 deri në datën 18 shtator 2022″, shkruhet në njoftimin zyrtar.

Sipas autoriteteve, përmirësimi i situatës meteorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas datës 18 shtator.

Kosovë

Reshjet e shiut shkaktuan përmbytje edhe në Gjakovë dhe Rahovec.

Mësohet se Lumi Erenik ka dalë prej shtratit dhe është në kuotën maksimale.

Gjendja jo e mirë, siç përshkruhet në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, është edhe në shtëpitë e rrugët e qytetit.

Në Gjakovë po raportohet se uji ka hyrë në shtëpitë e shumë banorëve.

Ndërkohë uji ka përfshirë edhe objektin e spitalit të qytetit të Gjakovës.

Sipas pamjeve të publikuara shihet që një pjesë e objektit të spitalit është përmbytur nga uji.

Situata e njëjtë është edhe në rajonin e Rahovecit.

Rahoveci është përfshirë nga përmbytje të mëdha, e cila ka bërë që rrugët të jenë të pakalueshme si nga veturat, ashtu edhe nga këmbësorët.

Ndërkohë, në fshatin Sopniq të Rahovecit, uji ka mbuluar rrugën.

Edhe në disa fshatra të kësaj komune janë raportuar për përmbytje.

Nga shirat e rrëmbyeshëm edhe një rrugë fushore në Nagac të Rahovecit ka pësuar një çarje të thellë.

Vendi po përballet me shira të rrëmbyeshëm që nga mbrëmja e së premtes.

Një gjë të tillë ka paralajmëruar edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Moti pritet të alternohet dhe përmirësohet në ditët në vijim dhe dëmet si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë mbeten deri në këto momente vetëm materiale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore