Lajme

Përmbytet Parisi


Franca po përballet me përmbytje të shumta këtë javë. Lumenjtë kanë dalë nga shtrati si shkak i rreshjeve të shumta të shiut.

Kryeministri francez,  Jean Castex,  premtoi mbështetje për fermerët dhe banorët, toka e të cilëve ishte dëmtuar.

Në Paris, disa argjinatura u zhytën nën lumin Seine për të katërtën ditë radhazi. Parashikimi i shërbimit kombëtar të motit  ka paralajmëruar që reshjet do të vazhdonin edhe gjatë fundjavës.

Në Francën e Jugut, ujërat kanë filluar të tërhiqen pasi përmbytja më e rëndë në 40 vjet ka fryrë lumin Garonne midis Bordeaux dhe Toulouse. Vreshtat dhe pemishtet u kthyen në liqene dhe anijet e shpëtimit notuan përgjatë rrugëve të qyteteve të vogla.

Kryeministri vizitoi qytetin e përmbytur të Marmande dhe premtoi “solidaritetin e shtetit për të gjithë ata që u prekën”.

Ai u tha gazetarëve se ishte takuar me udhëheqësit lokalë për të diskutuar mbi investimet strukturore “të lidhura me këto fenomene klimatike që vazhdojnë të përsëriten”.

Ndërkohë, në Gjermani, kampi më i madh për të pastrehët në Berlin u evakuua të shtunën ndërsa afrohej një stuhi dimri.

Temperaturat priten të bien në minus tetë gradë gjatë fundjavës, dhe netët do të jenë edhe më të ftohta.

“Ne do t’i akomodojmë njerëzit tani, duke u kujdesur që ata të mos përzihen me njerëzit e tjerë për shkak të pandemisë së coronavirus-it. Ata do të kalojnë fundjavën në një strehë të ngrohtë të mbrojtur”, tha Kevin Hönicke, nënkryetari i Bashkisë së Berlinit-Lichtenberg.

Kryqi i Kuq gjithashtu po ndihmon me autobusët e tij që u ofrojnë njerëzve të pastrehë ngrohtësi, batanije dhe çaj ndërsa lëvizin nëpër qytet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore