Shqipëria

Përmbyllet vizita e Erdogan-it: Shtatë marrëveshje, FETO dhe konsiderata vëllazërore me Ramën


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, nën regjimin e një agjende të ngarkuar dhe masash të rrepta sigurie përmbylli vizitën e tij në Shqipëri.

Avioni presidencial dhe po i njëjti “vëlla” ishin takimi i fundit me tokën shqiptare.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e mirëpriti dhe e përcolli me shumë dashamirësi politikanin “që bën atë që thotë”.

Në aeroport gjendeshin edhe ministrat shqiptarë që morën pjesë në nënshkrimin e shtatë marrëveshjeve të reja bashkëpunimi mes Turqisë dhe Shqipërisë.

Pasi ngjiti shkallët e avionit, numri një i presidencës turke, u kthye dhe përshendeti të pranishmit.

Erdogan mbërriti në Shqipëri mëngjesin e 17 janarit.

Kreu i shtetit turk mori pjesë fillimisht në ceremoninë e shpërndarjes së çelësave të banesave në Kurbin.

Këto të fundit u ndërtuan me financimin e qeverisë turke.

Deklaratat e para

Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti turk e konsideroi gëzimin e shqiptarëve edhe si gëzimin e tij.

“Vëllai i qëndron pranë vëllait, kur ka nevojë dhe jo kur thirret”, ravijëzoi Erdogan.

Një nga mesazhet e shpërndara prej tij ishte zgjatja përgjithmonë e miqësisë mes Turqisë dhe Shqipërisë.

“Ne ndajmë historinë e përbashkët, vlerat e qytetërimeve. Gjatë pandemisë COVID kemi ndihmuar vëllezërit në nevojë”, shtoi Erdogan.

Lidhur me angazhimin e qeverisë turke, kreu i shtetit turk shpreson që shtëpitë e ndërtuara të jenë të favorshme për qytetarët e Laçit.

Kostoja e 522 banesave ishte rreth 42 milionë euro.

Në përmbyllje të fjalës, numri një i presidencës turke u vlerësua me titullin “Qytetar Nderi i Kurbinit”.

Kjo, si shenjë falënderimi për përkushtimin e tij ndaj kauzës që preku shqiptarët.

Erdogan u vlerësua edhe për mbajtjen e fjalës mbi premtimin e zonës rezidenciale.

Ky vlerësim iu dorëzua nga kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara.

Në vijim, po në nder të tij, u zhvillua edhe ceremonia e emërtimit të sheshit në qytetin e Laçit.

Duke filluar nga 19 janari, ai do të mbajë emrin sheshi “Erdogan”.

Kryeministria 

Në rrjetën e zhvillimeve të ngarkuara organizacionale përfundoi edhe stafi që shoqëronte numrin një të presidencës turke.

Me të mbërritur në Kryeministri, ata nuk kishin certifikatat e vaksinimit COVID-19 duke krijuar një incident të vogël.

E gjithë situata u zgjidh shumë shpejt me ndërhyrjen e ambasadës turke në Shqipëri.

Kjo e fundit bëri të mundur kalimin e mjeteve identifikuese për certifikimin e palës turke që po merr pjesë në takimin e 17 janarit.

Në zyrën e kryeministrit Rama, u zhvillua një takim kokë më kokë me kreun e shtetit turk.

Fotoja u publikua nga faqja zyrtare e Drejtorisë së Komunikimit të Republikës së Turqisë në rrjetin social Twitter.

Shtatë marrëveshje

Qeveria shqiptare dhe ajo turke nënshkruan shtatë marrëveshje të reja bashkëpunimi mes tyre.

Palët firmosën një protokoll bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Arkivit Shtetëror të Turqisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivit të Shqipërisë.

E dyta përfshinte një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e rinisë dhe sporteve ndërmjet dy ministrive të dy vendeve.

Marrëveshja e tretë e firmosur ka qenë bashkëpunimi ndërmjet Agjencisë Anadolu dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

Në radhë të katërt u firmos një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e trajnimeve për zbatimin e ligjit ndërmjet qeverisë turke dhe asaj shqiptare.

Memorandum mirëkuptimi u nënshkrua edhe në fushën e menaxhimit të fatkeqësive ndërmjet Drejtorisë së Emergjencave dhe Ministrisë së Brendshme Turke.

Marrëveshja e radhës ishte një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Jashtme të Turqisë dhe diplomacisë shqiptare për bashkëpunimin në fushën e protokollit.

E fundit marrëveshje përfshinte një protokoll bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme Shtetërore të Operës dhe Baletit dhe ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë.

Konferenca për shtyp

“Presidenti Erdogan atë që thotë, e bën. Edhe një herë dua ta falënderoj që u gjend pranë nesh qysh në sekondat e parë pas goditjes së tërmetit, që u angazhua publikisht i pari dhe me një angazhim shumë konkret duke e mbajtur fjalën”.

Kështu deklaroi kryeministri Rama, gjatë konferencës për shtyp.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se, “kjo është një ditë e rëndësishme dhe ditë e bukur për ne, siç është çdo ditë kur hapim dyert për të pritur miqtë nga vendi juaj”.

Ndër të tjera, ai u ndal dhe te marrëveshjet e nënshkruara gjatë kësaj dite, si dhe ato të janarit 2021 në Ankara.

“Dua të them që lajmi tanimë është realitet – futja e gjuhës shqipe me përzgjedhje në të gjithë arsimin turk”, theksoi kryeministri.

Erdogan dhe FETO

Edhe në konferencën për shtyp, edhe gjatë fjalës përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë, Erdogan dhe fjalimet e tij kishin një emërues të përbashkët – FETO.

“Në takimin tonë, ne vlerësuam dhe luftën tonë kundër organizatës terroriste FETO”, deklaroi fillimisht ai.

Për Erdogan “kjo strukturë që i ka dyert e lyera me gjakun e të pafajshmëve, përbën një kërcënim të madh, jo vetëm për Turqinë, por edhe për çdo vend ku ajo është e pranishme”.

Lidhur me praninë e saj në Shqipëri, ky fakt – sipas tij – e lëndon thellë popullin turk dhe ata, të cilët kanë rënë dëshmor.

“Pritshmëria jonë më e sinqertë është që në periudhën që kemi përpara të ndërmerren hapa më konkretë, vendimtarë dhe hapa më të shpejtë kundër strukturimit të FETO në Shqipëri”, ishte thirrja e presidentit turk.

Erdogan u shfaq shpresëplotë në Kuvend se “Shqipëria do të marrë masa” dhe “nuk do të lejojë që kjo çështje, të errësojë raportet tona”.

“Shpresojmë që herën tjetër që do të jemi këtu, kjo të ketë marrë fund”.

Gjithashtu ai u shpreh se marrëdhënia midis Turqisë dhe Shqipërisë është e thellë dhe e palëkundur.

“Edhe pse ka kufij fizikë, Shqipëria është fqinji ynë në zemër”.

Xhevahiri i Tiranës

Përurimi i Xhamisë së Et’hem Beut ishte adresa e fundit e agjendës së Erdogan, në Shqipëri.

Në sheshin “Skënderbej” ishin mbledhur me qindra njerëz, të cilët kishin ardhur edhe nga Kosova apo Maqedonia e Veriut.

Rama, gjatë fjalës së tij theksoi se do të fillojë puna për restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër.

Kjo, në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve turke dhe atyre shqiptare.

Fillimisht, Rama e konsideroi pjesëmarrjen e tij në këtë ceremoni si “nder”.

Kjo, edhe pse shumë prej të pranishmëve, sipas tij, kishin ardhur për të dëshmuar mbërritjen e Erdogan-it.

Në podiumin e improvizuar, kreu i qeverisë shqiptare e konsideroi Xhaminë e Et’hem Beut një simbol të shkëlqyer të rilindjes së trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

“Falë kujdesit të tij – referuar Erdogan – të drejtpërdrejtë dhe agjencisë turke TIKA, inxhinierëve, restauratorëve turq e shqiptarë, ne kemi sot disa nga xhevahiret të fesë që kanë rilindur plot shkëlqim”, u shpreh ndër të tjera Rama.

Xhamia e Et’hem Beut, sipas kryeministrit, është një nga simbolet më domëthënëse të historisë tonë dhe një pasqyrë mes marrëdhënieve tradicionale Turqi-Shqipëri.

Gërshërët “me vete”

Erdogan deklaroi në përmbyllje të vizitës së tij se Xhamia e Et’hem Beut është një nga veprat më madhështore që rihapet në qendër të Tiranës.

Numri një i presidencës turke përshëndeti ndërkaq të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm.

Fillimisht, presidenti e konsideroi objektin e kultit si “një dëshmi artistike të periudhës osmane që ka mbërritur deri në ditët e sotme”.

Në vijim të fjalës së tij, kreu i shtetit turk bëri një përmbledhje të vizitës së 17 janarit.

Xhamia, sipas tij, me ndriçimin e ri do t’i japë një pamje magjepsëse qendrës së Tiranës.

Erdogan vuri theksin te TIKA, si agjencia që bëri të mundur realizimin e 546 veprave konkrete.

Numri një i presidencës turke garantoi se do të vijojë t’i qëndrojë pranë popullit shqiptar.

Deri në muajin e Ramazanit, Erdogan shpreson që t’i japë zgjidhje edhe restaurimit të Xhamisë së Namazgjasë në Elbasan.

“Së bashku me mikun tim, kryeministrin e Shqipërisë, krah më krah, do të kemi sërish vepra të tjera të tilla që do të vihen në shërbimin tuaj”, tha kreu i presidencës turke.

Në përmbyllje, Erdogan uroi që ky restaurim i Xhamisë së Et’hem Beut të jetë në dobi të njerëzve.

Ceremonisë së prerjes së shiritit inaugurues iu bashkëngjitën edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Kryeministri Rama nuk zgjodhi të merrte gërshërët për të prerë shiritin.

Sipas Erdogan-it, këto të fundit gjithsecili do t’i ruajë si kujtim për të mos i kthyer mbrapsht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore