Shqipëria

Përmbyllet ceremonia mortore në nder të ish-presidentit Nishani, përcillet për në banesën e fundit


Ceremonia mortore në nder të ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, u përmbyll me një fjalim lamtumire të Presidentit Ilir Meta.

Meta shprehu vlerësimin maksimal për Nishanin, duke shprehur dhimbjen për këtë humbje të parakohshme.

“Presidenti Nishani punoi me devotshmëri, për projektet strategjike, të integrimit evropian dhe euroatlantik të Shqipërisë”, tha Meta.

Sipas tij, Nishani do të mbahet mend për maturinë e vetëpërmbajtjen që e karakterizonte.

“Ai çmoi me përulësi në komunikimin njerëzor – tipare që i mbetën të pandryshuar gjithë jetën. Si Kryetar i Shtetit, ai punoi me përkushtim të rrallë në mbrojtje të Kushtetutës”.

Meta e përmbylli me një mesazh duke shprehur konsideratën më të lartë për Nishanin, të cilin e cilësoi si një njeri “që i peshonte fjala”.

Homaazhet Per Nishanin

“Sot, në ditën e lamtumirës ne e falënderojmë Presidentin Nishani për modelin që solli”.

Gjatë ceremonisë përmbyllëse në oborrin e Presidencës u mbajt një minutë heshtje në nder të Bujar Nishanit.

Kortezhi mortor eci në këmbë nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri te kryqëzimi i Lumit Lana.

Më pas, automjeti me arkëmortin u drejtua për te varrezat e Sharrës.

Bujar Nishani shërbeu si president i Republikës së Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri më 24 korrik të vitit 2017.

Ai vdiq në moshën 56-vjeçare, për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar.

Gjatë kësaj dite u zhvilluan homazhe në nder të tij në sallën “Skënderbeu” të Presidencës.

Zyrtarë të lartë, politikanë, personalitete kombëtarë dhe ndërkombëtarë morën pjesë në ceremoninë mortore në nder të tij.

2 qershori është shpallur “Ditë Zie Kombëtare”, në nder të ish-kreut të lartë të shtetit, Bujar Nishani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore