Shqipëria

Përmbledhja e ÖGfE-së: Shqipëria kryesuese e reformave drejt BE-së – krahasuar me vendet e rajonit


Një përmbledhje e politikave e publikuar nga Shoqëria Austriake për Politikën Evropiane (ÖGfE) ka theksuar se Shqipëria mund të konsiderohet si “kryesuese e reformave në krahasim me kandidatët e tjerë të rajonit që aderojnë drejt Bashkimit Evropian”.

Publikimi sjell në vëmendje faktin që Shqipëria ka ndryshuar më shumë se një të tretën e Kushtetutës së saj.

ÖGfE-ja është një platformë austriake joqeveritare dhe jopartiake, e cila informon për integrimin evropian.

Dokumenti “Përmbledhja e Politikave” është publikuar në kuadër të projektit WB2EU (Ballkani Perëndimor drejt BE-së).

Projekti WB2EU është i bashkëfinancuar sakaq nga Komisioni Evropian.

Reforma në drejtësi në Shqipëri, referuar dokumentit, ka dëshmuar ndërlikimet që shoqërojnë progresin e një vendi drejt përmbushjes së kushteve të BE-së.

Megjithatë, shkruan ÖGfE-ja, pavarësisht nga dobësitë dhe papërsosmëritë, shtrirja dhe thellësia e reformës së sektorit të drejtësisë në Shqipëri përfaqëson një rast studimi.

Kjo, për të kuptuar, vlerësuar dhe përshtatur rëndësinë sistematike të anëtarësimit në BE.

Shembull për Ballkanin Perëndimor

Parë nga ky këndvështrim, shoqata austriake nënvizon se përvoja e Shqipërisë mund të nxjerrë mësime edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Një pjesë e rëndësishme e instrumenteve të politikës së jashtme evropiane është dhe qëndrueshmëria e institucioneve të reja të drejtësisë.

“Roli dhe ndikimi i vullnetit politik dhe i qeverisjes së mirë janë thelbësore në progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, vijon dokumenti.

Për të kryer ndryshimet e kërkuara, sipas austriakëve, duhet edhe vullneti politik i elitave të brendshme.

Në rastin e Shqipërisë, procesi i reformimit të drejtësisë edhe pse kishte vullnetin politik të qeverisë, u tërhoq pas përballjeve me opozitën dhe presidentin.

Megjithatë, sfidë mbetet funksionimi dhe efikasiteti i strukturave të sapokrijuara.

Një nga rekomandimet kryesore të dokumentit ishte dhe roli i qytetarëve në reformë.

Për ÖGfE-në, ata janë përfituesit kryesorë e reformës dhe duhet të përfshihen në të gjithë procesin.

Nga hartimi i reformës deri te zbatimi dhe funksionimi i saj.

Ky zhvillim, sipas raportit, ofron një kontribut shumë të vyer për të rritur vullnetin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore