Shqipëria

Përmbarimi ekzekuton vendimin e gjykatës, bllokon asamblenë e FSHF-së


Në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë mbërritur përmbaruesit për të ekzekutuar vendimin e gjykatës kundër Armand Dukës.

Këtë vendim e ka ekzekutuar përmbaruesi Basha sh.p.k kundër presidentit të federatës, duke ndaluar asamblenë e paligjshme që kërkon të zhvillojë FSHF-ja.

E gjitha vjen pasi gjykata pranoi pranoi kërkesën për sigurimin e padisë, duke urdhëruar përmbarimin për ekzekutimin e vendimit.

Gjykata, më parë, ka urdhëruar pezullimin e efekteve juridike të vendimit nr.1, datë 10.01.2022 të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi.

Çka ka lidhje me realizimin e mbledhjes së asamblesë së përgjithshme të zakonshme zgjedhore të FSHF-së, të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.

Gjykata, njëherazi, ka pezulluar efektet juridike të vendimit të datës 02.01.2022, të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Dhe veprimtarinë e Komisionit të Verifikimit të FSHF-së në ushtrimin e kompetencave të tij statutore për organizimin, mbikëqyrjen dhe drejtimin e asamblesë së përgjithshme të FSHF-së.

Tanimë, asambleja zgjedhore nuk mund të zhvillohet.

Nëse Armand Duka apo drejtuesit e tjerë të FSHF-së do të tentojnë të pengojnë zbatimin e vendimit të gjykatës, sipas nenit 606 të Kodit të Procedurës Civile dhe të nenit 320 të Kodit Penal, rrezikojnë nga dy deri në tre vite burg.

Vendimi ka ardhur pas manipulimeve dhe ankesave të shumta nga shoqatat rajonale të futbollit që akuzonin Armand Dukën se po ndërhynte për t’u rizgjedhur për një mandat të gjashtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore