Sport

Përleshje mes tifozëve në ndeshjen Marselle – Galatasaray (VIDEO)


Dhuna në stadiumet e Francës nuk ka të ndalur. Në ndeshjen e Ligës së Evropës, që u zhvillua mes klubit francez Marselle dhe atij turk, Galatasaray, ka ndodhur një përleshje mes tifozëve të dyja skuadrave.

Madje incidentet e ndodhura në tribuna, çuan deri në ndërprerjen ne ndeshjes për disa minuta në fundin e pjesës së parë.

Tifozët mysafir dhe ata vendas lëshuan fishekzjarrë që ranë në fushën e stadiumit “Velodrome”, duke bërë që gjyqtari polak Pawel Raczkowski të pezullojë përkohësisht takimin.

Për të qetësuar gjakrat, ndërhynë forcat e policisë franceze, por edhe nga fusha pati tentime, ku kapitenët e dyja skuadrave shkuan për t’u kërkuar tifozëve të tyre që të qetësohen.

Por, në fund të ndeshjes, tensioni i krijuar në tribuna u shfaq edhe në fushë, ku Alvaro Gonzalez i Marselle dhe Mbaye Diagne i Galatasaray, u përfshinë në një përleshje fizike mes tyre, ku për t’i qetësuar, ndërhynë futbollistët e dyja skuadrave.

https://twitter.com/TheMrMatthewF1/status/1443682622283161601?s=20

Në fund, ndeshja përfundoi pa gola, por raste të shumta për të shënuar kishin të dyja skuadrat.

Me këtë barazim, Galatasaray pozicionohet në vendin e parë të Grupit E, me katër pikë të grumbulluara, një më shumë se Lazio e vendit të dytë, ndërsa Marselle mbetet në vendin e tretë me dy pikë.

Kujtojmë që në këtë fillim të sezonit të ri, këto ngjarje në stadiumet e Francës janë bërë të përsëritshme.

Ndeshja e parë që shënoi incidente të tilla, ishte ajo mes Nice dhe Marselle në Ligue 1, madje në të cilën tifozët edhe hynë në fushë.

Përveç saj, përleshje në tribuna pati edhe në ndeshjet Lens – Lille, Angers – Marselle dhe Bordeaux – Montepellier.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore