Lajme

Përleshje masive në Francë, qytetarët kundër reformës së pensioneve


Protestues të irrituar janë përleshur me policinë sërish, në qendër të Parisit, si pasojë e reformës së Qeverisë për pensionet, e cila ka ngjallur pakënaqësi të shumta në publik.

Mijëra demonstrues shkaktuan trazira në kryeqytetin francez, duke ndezur zjarre dhe duke i hedhur shashka policëve.

Këta të fundit ndërkohë, përdorën gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Kjo është nata e dytë e përshkallëzimit të protestave, pas vendimmarrjes së presidentit Emmanuel Macron, i cili pa votën e Parlamentit, por me dekret presidencial, vendosi ta çojë moshën e pensionimit nga 62 në 64 vjeç.

Nga ana tjetër, opozita është përgjigjur me një mocion mosbesimi kundrejt presidentit, ku të regjistruar janë dy të tillë në Parlament deri tani.

I pari, i sjellë nga koalicioni mes skajit të majtë dhe ligjvënësve të pavarur dhe tjetri, nga e djathta ekstreme e Marine Le Pen.

Ato hyjnë në debat që prej javës tjetër dhe më pas kalojnë edhe në votim, për të parë nëse Macron qëndron apo jo në pozitë.

Sipas Le Pen, gjithë çfarë ka bërë Macron me reformën e pensioneve ka qenë një dështim tërësor për Qeverinë e tij.

Ndërsa, lidhur me demonstratat, Policia ka kryer dhjetëra arrestime, jo shumë larg Parlamentit, ku një pjesë e mirë e protestuesve ishin vendosur.

“Nuk do të dorëzohemi”, janë dëgjuar shumica e tyre të brohorisnin në rrugët kryesore të Parisit, teksa të tjera tubime janë zhvilluar edhe në qytete të mëdha si Bordeaux, Toulon, apo Strasbourg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore