Shqipëria

Përgjimet e Ndrangheta-s/ Në SPAK vijojnë hetimet


Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar procedimin për veprat penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,  të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Regjistrimi i këtij procedimi penal ka filluar pas publikimit të disa artikujve në mediat e ndryshme, në lidhje me hetimet e kryera nga Prokuroria Antimafia e Catanzaro-s në Itali. Sjellim në vëmendje janë hedhur dyshime në lidhje me përfshirjen e shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në aktivitete kriminale në vendin tonë.

Më 4 shkurt është kryer një takim në kuadër të sqarimit të rrethanave dhe fakteve që lidhen me objektin e hetimeve në selinë e Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm në Romë. Takimi u drejtua nga Federico Cafiero de Raho, drejtues i Prokurorisë Kombëtare së Antimafias dhe Antiterrorizmit në Itali dhe Arben Kraja, drejtues i Prokurorisë së Posaçme, në Shqipëri. Në takim morën pjesë prokurorët italianë dhe shqiptarë që  po hetojnë këto dy procedime penale në të dy shtetet.

Policia italiane arrestoi 50 persona në një operacion kundër mafias kalabreze “Ndrangheta”. Mes të arrestuarve janë edhe shtatë shqiptarë, një prej tyre femër. Mbi shqiptarët rëndon akuza e përfshirjes  në korrupsion dhe mashtrim në vlerën e më shumë se 250 milionë eurove.

Gjatë hetimeve doli në pah bashkëpunimi i sipërmarrësit kalabrez, Antonio Gallo, ish-nëntenentit të Guardia di Finanzia-s, Ercole D’Alessandro dhe i zyrtarit italian, Tommaso Brutto, në hapjen e një aktiviteti tregtar në Shqipëri.

Besohet se në krye të këtij grupi kriminal ka qëndruar Antonio Gallo. Gallo i njohur me pseudonimin ”princi” duket se ka lidhje me të gjithë bosët mafiozë, kalabrezë, të përfshirë në çështjet kriminale të Ndrangheta-s në lidhje me investimet në Shqipëri.

Ish-nëntenenti i Guardia di Finanzia-s, D’Alessandro ka bashkëpunuar me Gallo-n duke i dhënë informacione në lidhje me hetimet e policisë dhe anti-mafias kalabreze.

D’Alessandro do t`i siguronte Gallo-s mbështetjen e tij dhe kontaktet e duhura për të konkretizuar aktivitetet sipërmarrëse. Marrëveshja supozohej të ishte fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm që shikonte jo vetëm nga Shqipëria.

Mediat Italiane transmetojnë se Gallo do të realizonte së shpejti qëllimet e tij për t`u zgjeruar falë një kontakti shqiptar. Ky kontakt do të përpiqej të futej në sektorin e ndërtimit të gradaçelave dhe të tenderave të porositur.

Lidhur me çështjen shqiptare po kryhen hetime nga SPAK, ndërkohë që Prokuroria Italiane e Catanzaro-s vazhdon hetimin në shtetin italian.

Ndaj mafias kalabreze rëndojnë akuza në cilësi të ndryshme si, grup i  strukturuar mafioz, blerje votash, trafik droge, armëmbajtje pa leje, vrasje në tentativë dhe mosrespektim i dënimit.

Rikujtojmë se “Ndrangheta” është mafia më e fuqishme  në Itali. Ajo kontrollon tregtinë e kokainës në Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore