Lajme

Përgjigja e BE-së për Albanian Post rreth dokumentit që sugjeron ndryshim kufijsh në Ballkan


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano dhe një pjesë e dokumentit siguruar nga Albanian Post

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post tha se në adresë të BE-së nuk kanë pranuar asnjë letër me plane për ndryshim kufijsh në Ballkan.

Prononcimi i Stanos vjen pas publikimit të një dokumenti të cilin e posedon Albanian Post, ku në pika të shkurtra, por në hapa konkretë, tregohet se si mund të bëhet ridefinimi i kufijve në Ballkan, me idenë e zgjidhjes së problemeve në këtë zonë.

“Në këtë rast specifik nuk i takon Komisionit Evropian ose Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm që të shprehemi për çështjen e pretenduar pasi që Komisioni nuk ka marrë asgjë dhe nuk është në dijeni të përmbajtjes së pretenduar të një dokumenti të tillë”, tha Stano për Albanian Post.

Ndërkohë, politikanja sllovene dhe shefja e grupit të social-demokratëve në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, tha se “ekziston një perceptim i rrezikshëm i politikës për Ballkanin Perëndimor në lidhje me Slloveninë, e cila kërcënon seriozisht besueshmërinë dhe suksesin e Këshillit tonë të BE-së”.

“Pavarësisht nëse është një dokument i krijuar në Slloveni apo jo, dëmi që u krijua për vendin tonë është tashmë shumë i madh”, ka shkruar Fajon në Twitter.

“Është e nevojshme që të jepet një pozicion i qartë i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor sa më shpejtë që është e mundur, në veçanti për Bosnjën”.

Letra e publikuar ka gjashtë pika dhe gjashtë hapa se si duhet të konkretizohet plani.

“Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Bashkimi i një pjese të madhe të Republikës Serbe të Bosnjës me territorin e Serbisë. Zgjidhja e çështjes kombëtare të Kroacisë me dy opsione dhe krijimi i një shteti funksional boshnjak”, thotë dokumenti.

Letrën, sipas burimeve të Albanian Post e kishte përpiluar Qeveria Sllovene, saktësisht kryeministri Janez Jansa në nëntor të vitit të kaluar.

Të njëjtën ai ia kishte dërguar Presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel.

Letra sekrete e kryeministrit slloven për BE-në: Ky është plani për ndryshimin e kufijve – Kosova bashkohet me Shqipërinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore