Lajme

Përfundon votimi nga diaspora për kryetar të Dragashit


Ilustrim

Këtë të hënë përfundon afati i votimit nga diaspora për zgjedhjen e kryetarit të Komunës së Dragashit.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Sot përfundon afati për votim nga diaspora për Komunën e Dragashit”, tha shkurt Elezi.

Më 25 nëntor, Gjykata Supreme pati vendos për rivotim të diasporës nga Dragashi.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhej në aktgjykim.

PZAP kishte aprovuar ankesën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani.

Pas vendimit të Gjykatës Supreme që votat e ardhura me postë nga jashtë për Komunën e Dragashit të mos njihen, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) deklaroi se ka mirëpritur këtë vendim.

Sipas PDK-së, votat që kanë ardhur me postë kanë qenë të manipuluara.

“Votat që kishin ardhur me postë për Komunën e Dragashit ishin të manipuluara me qëllim të deformimit të rezultatit zgjedhor dhe cenimin e vullnetit të mijëra qytetarëve të Dragashit të cilët më 14 nëntor përmes një procesi fer e demokratik rizgjodhën Shaban Shabanin kryetar për mandatin e ri katërvjeçar”, thuhej në njoftimin e PDK-së.

Shaban Shabani, kandidat i PDK-së për kryetar të Dragashit

“Qytetarët e Dragashit pavarësisht ku ata jetojnë, do të bashkohen dhe me vullnetin e tyre të lirë e duke mos lejuar manipulimin e vullnetit të tyre, do të votojnë për kryetarin e tyre që ka qeverisur mirë e me transparencë për zhvillimin e kësaj komune”.

Në Dragash ishte përmbysur rezultati pas numërimit të votave të ardhura nga diaspora, duke nxjerr fitues kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK), Bexhet Xheladini, i cili kishte marr gjithsej 244 vota, ndërsa kandidati i cili me votat e 14 nëntorit doli fitues, Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nga diaspora kishte arritur të marr vetëm 54 vota.

Kjo ishte bërë e ditur pas përfundimit të numërimit të votave me postë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të cilat u mbajtën me 14 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore