Lajme

Përfundon takimi në Bruksel: Akordohen për agjendën e takimeve të radhës


Takimi i ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë-Bruksel

Takimi i parë i grupeve punuese në nivel të ekspertëve për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë është zhvillua të enjten në Bruksel, ku palët janë akorduar rreth agjendës për takimet e radhës.

Kjo është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës me anë të një njoftimi.

“Në këtë takim mes palëve është biseduar për planin e takimeve të rregullta ndërmjet gupeve punuese të ekspertëve në muajt e ardhshëm që kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhje përfundimtare dhe të përhershme për këtë çështje”.

Sipas njoftimit thuhet se kjo është e bazuar në dy parime themelore: zgjidhja të bazohet në standardet dhe praktikat aktuale më të mira të Bashkimit Evropian, dhe çfarëdo ndryshimi potencial duhet të vlejë dhe të ndërmerret nga të dy palët.

Ndërsa takimi i zhvilluar të enjten ishte i bazuar në marrëveshjen e arritur më 30 shtator 2021, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, sipas së cilës, është formuar grupi punues.

Grupi punues sipas marrëveshjes ka për obligim që brenda gjashtë muajsh të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e lirisë së lëvizjes së automjeteve mes dy vendeve.

Ndërsa emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kishte pritur në Bruksel grupet punuese të të dy vendeve.

Ai në llogarinë e tij në Twitter ka postuar një fotografi nga takimi ku ka thënë se grupet punuese do të takohen rregullisht.

“Këtë mëngjes në Bruksel mirëprita delegacionet e ekspertëve në takimin e parë të Grupit Punues për targat e veturave, siç jemi pajtuar më 30 shtator. Grupi që u kryesua nga këshilltarët e mi do të takohen në baza të rregullta. Besoj që ata do të prezantojnë gjetje konkrete për gjashtë muaj”.

Kurse më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikë kalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Ndërkaq dhjetë ditë më vonë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa

Marrëveshja zhbllokoi situatën në Veri të krijuar pas bllokadës me barrikada nga ana e serbëve protestues kundër zbatimit të masës së reciprocitetit me Serbinë.

Marrëveshja e arritur në Bruksel më 30 shtator përmban tre pika.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore