Shqipëria

Përfundon takimi mes Kurtit dhe Ramës në Tiranë


Pas dy orësh ka përfunduar takimi i papritur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Ata u takuan në Tiranë në vilën qeveritare 31, në zonën e bllokut, aty ku janë të vendosura të gjitha bustet e Shqiperisë komuniste.

Kështu, ndërtesa e Mehmet Shehut është kthyer në shtëpinë e mysafirëve.

Dy liderët pas takimit me dyer të mbyllura nuk dhanë asnjë prononcim për mediat.

Nga pamjet e publikuara shihet se kryeministri kosovar ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

Detaje mbi vizitën e beftë të kryeministrit Kurti ende nuk janë bërë me dije dhe as tematika për të cilën u diskutua.

Mes tyre, takimi i fundit ka qenë mbledhja e dy qeverive në Prishtinë, ku të dy palët firmosën një sërë marrëveshjesh për bashkëpunimin mes tyre.

Kryeministri Kurti ka anuluar duke lënë në gjysmë edhe një konferencë, të cilët po mbante për mediat në Kosovë.

Mediat atje, kanë raportuar se Kurti është larguar nga salla e Konferencës “i nervozuar”.

Për çfarë kanë diskutuar dy kryeqeveritarët?

Vlen të theksohet se takimi vjen në vigjilje të mbajtjes së samitit të Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet nën udhëheqjen e kancelarit të ri gjerman, Olaf Scholz.

Qeveria e Kosovës shpesh ka përsëritur qëndrimin e saj pro Procesit të Berlinit, dhe pse ky i fundit nuk ka prodhuar rezultatet e premtuara.

Nga ana tjetër, dy Qeveritë vijojnë të kenë qëndrime të kundërta sa i takon ‘Open Balkan’.

Rama shpesh ka ftuar Kosovën të bëhet pjesë e nismës, por ka hasur refuzimin e homologut të tij.

Takimi i dy liderëve ballkanikë po zhvillohet gjithashtu në një kohë kur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur.

Dy palët nuk kanë bërë asnjë përparim, përpos zbatimit të marrëveshjeve të vjetra.

Temë dikutimi mund të ketë qenë edhe një platformë e re për dialogë, për të cilën thuhet se u është paraqitur në tavolinë kryeministrit të Kosovës, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nga dy këshilltarët e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Nga ana tjetër, numri një i Qeverisë shqiptare në daljet e tij – sa i takon kësaj çështjeje- ka ravijëzuar se i takon në radhë të parë Kosovës, shtetit dhe autoriteteve të Kosovës të përpunojë një platformë për dialogu.

Ai edhe pse është akuzuar për idenë e “korrigjimit të kufijve”, Rama shprehet se çështja e kufirit është mjaft delikate, ku luhet fati jo vetëm i Kosovës, por i kombit shqiptar.

Një pikë tjetër që i prek të dyja Qeveritë është sulmi kibernetik ndaj të dhënave shtetërore.

Shqipëria – siç ka pranuar publikisht – është sulmuar disa herë nga Irani.

Kosova nga ana tjetër ka theksuar se e ka superuar sulmin, por ende nuk dihet se nga erdhi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore