Shqipëria

Përfundon protesta në Rinas – Pas ndërhyrjes së policisë, rinis normalisht qarkullimi


Ka përfunduar protesta e banorëve të fshatit Rinas. Pas ndërhyrjes së policisë, pas gati një ore proteste, ka rinisur normalisht qarkullimi.

Fillimisht ishte kryeplaku i fshatit që u bëri thirrje për shpërndarje protestuesve, duke u thënë këtyre të fundit se ka marrë siguri që rruga do të hapet për banorët e zonës.

Pas ndërhyrjes së policisë, situata u tensionua, aq sa u desh ndërhyrja e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) për të lejuar kalimin e automjeteve drejt aeroportit.

Sakaq, raportohet se disa persona janë shoqëruar nga uniformat blu.

Protestat e banorëve të Rinasit

Banorët e zonës së Rinasit ishin në ditën e dytë të protestës së tyre. Rreth orës 10 të së martës së 3 majit, ata u grumbulluan sërish për të kundërshtuar devijimin në rrugën që të dërgon tek Aeroporti i Tiranës “Nënë Tereza”.

Nëse rruga nuk bëhet me dy sense lëvizje, ata kanë kërcënuar me bllokimin e këtij aksi.

Protestat erdhën pasi ky aks, që nga 1 maji, u bë vetëm me një sens kalimi.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, pas periudhës së COVID-19, sillte trafik të rënduar me radhë të gjata automjetesh.

Por, nga ana tjetër, sipas banorëve, aksi me një kalim “ua ka vështirësuar jetën”.

Nga ky ndryshim, sipas tyre, preken drejtpërdrejtë 260 familje dhe ua zgjat rrugën për të shkuar në shkollë 130 fëmijëve.

Gjatë një prononcimi për mediat, kryeplaku i fshatit të Rinasit, Sabah Muja, ka dhënë ultimatum që, nëse rruga nuk do të hapet deri nesër, “s’do çojmë fëmijët në shkollë dhe do bllokojmë aeroportin ‘Nënë Tereza'”.

Vendimi i ARRSH-së

Ka qenë Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), i cili ka njoftuar se, pas periudhës së COVID-19, është rritur edhe fluksi i fluturimeve, si pasojë edhe qarkullimi i mjeteve, duke krijuar probleme për udhëtarët për të kapur linjat e fluturimeve në orarin e caktuar.

Kështu me qëllim shmangien e vonesave për lëvizjen drejt aeroportit, si dhe rritjen e sigurisë rrugore, është bllokuar për një afat të pacaktuar lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaj.

Mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport.

“Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe drejtuesve të mjeteve për këtë ndryshim të qarkullimit!”, shkruhet në njoftimin e ARRSH-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore