Lajme

Përfundon pa incidente protesta e serbëve në Mitrovicë


Protesta e serbëve në Mitrovicën Verioire

“Protesta e serbeve në orët e hershme të mëngjesit të 16 janarit në pjesën Veriore të Kosovës ka përfunduar pa incident”.

Kështu për Albanian Post ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Komunës së Mitrovicës, Besim Hoti, i cili ka bërë të ditur se protesta ka zgjatur rreth gjysmë ore.

“Nuk ka incidente, ka qenë tubim si kundërshtim për referendumin. Ka përfunduar dhe nuk ka telashe”, ka shtuar ai.

Ndryshe gjatë ditës së diel serbët në pjesën Veriore të Kosovës duke e shprehur pakënaqësinë e tyre për moslejimin e mbajtjes së Referendumit në Kosovë kanë organizuar një protestë simbolike në sheshin “Car Lazar”, të Mitrovicës Veriore.

Kësaj proteste i ka paraprirë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, deputeti Igor Simiç si dhe kryetarët e komunave Veriore të vendit.

Protestuesit në fjalë kanë improvizuar një kuti votimi ku në të kanë hedhur në mënyrë simbolike votat e tyre për Referendumin e cila po mbahet këtë të diel në Serbi.

Mes tjerash protestuesit kanë mbajtur në duar pankarta me mbishkrimet, “Serbët nga Kosova janë fuqishëm me shtetin e tyre Serbinë”, “Votoj për paqe jo për terror”, “Edhe serbët kanë të drejtat njerëzore”.

Protesta e serbëve në Mitrovicën Verioire

Rakiç, nga këtu ka mbajtur edhe një konferencë për media ku ka potencuar se kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë do të vendosin reciprocitet në Veri të vendit nëse Qeveria e Kosovës nuk e lejon mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale serbe të 3 prillit.

“Nëse me 3 prill nuk lejohen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, atëherë do të vendoset reciprocitet dhe masat do të jenë serioze”, ka thënë Rakiç.

Sipas tij, ky lloj reciprociteti do të bëhet vetëm në komunat e Mitrovicës së Veriut, duke shtuar se më pas do të vendoset edhe në komunat tjera.

Ai nuk e ka mohuar mundësinë e vendosjes së barrikadave në pjesën Veriore të vendit, kur është pyetur nga gazetarët për një gjë të tillë.

“Nuk mund të përgjigjem është një pyetje hipotetike, por gjithçka është e mundur”, ka shtuar ai.

“Ashtu siç na trajton Prishtina, ashtu do t’i trajtojmë edhe ne”, ka vazhduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore