
Të martën në mbrëmje ka përfunduar aksioni i Policisë së Kosovës për kontrollimin dhe bastisjen e lokaliteteve në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ku u vra një rreshter dhe dy të tjerë u plagosën.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendës-drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, derisa shtoi se njësitet policore do të vazhdojnë të jenë prezente atje dhe për procedurat e tjera do të vendoset nesër (e mërkurë) pas orës 9.
“Ka përfunduar aksioni i bastisjes dhe kontrollimit. Nesër pas orës 9 do të vendoset se si të procedohet tutje, por ende mbesin njësitet policore atje”, njoftoi. Elshani. Gjatë bastisjes, një arsenal armësh, pajisje tjera ushtarake dhe automjete janë konfiskuar nga njësitet policore.
Në një video të publikuar të martën nga Policia e Kosovës, shihet edhe nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – Milan Radojiçiç, duke udhëhequr terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës, të dielen e 24 shtatorit, ku për pasojë u shua jeta e rreshterit Afrim Bunjaku, tashmë i nderuar me titullin ‘Hero i Kosovës’.
Pjesëtarët e këtij grupi, përfshirë kryekriminelin Radojiçiç, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.
Radojiçiçi i cili ka mbështetjen e presidentit serb dhe autoriteteve në Beograd, kërkohet nga Qeveria e Kosovës dhe është gjithashtu në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.
Terroristët që cenuan sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizuan nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbështetje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste, sipas të dhënave aktuale, u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe tetë janë arrestuar deri më tash, ndërsa të tjerët janë arratisur në Serbi.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Mira Murati, një nga 25 gratë më me ndikim në botë për vitin 2023
-
Asnjanësi klimatike deri në vitin 2050 – A do ia dalë Shqipëria?
-
COP28: 50 kompani të naftës dhe gazit nënshkruajnë statutin për të përshpejtuar veprimet klimatike në sektorin industrial
-
Thellimi i raporteve Kosovë-Kenia, në fokus të takimit Osmani-Ruto