Shqipëria

Përfundon afati i deklarimit të pagave


Sot është data e fundit e deklarimeve të pagave për të gjithë tatimpaguesit në Shqipëri.

Ishte vetë kryeministri Edi Rama, i cili në bashkëbisedimin e fundvitit me gazetarët, bëri me dije se nuk do të ketë më paga fiktive, por do të ketë hetim për evazion, teksa u ndal edhe një herë te ngjarja e “shëmtuar” me rrjedhjen e të dhënave personale të të punësuarve shqiptarë.

Gjatë kësaj kohe, Tatimet kanë nisur nga një letër për të gjithë tatimpaguesit me deklarime mosbesuese, duke u kërkuar që të vetërregullohen deri më 20 janar.

Administrata tatimore u ka kujtuar bizneseve se deklarimi i pavërtetë përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë.

“Rikujtojmë se, deklarimi i pavërtetë i pagës përbën kundravajtje administrative dhe dënohet me gjobë sipas Nenit 119 të Ligjit 9920/2008, ‘Për Procedurat tatimore në RSH’, i ndryshuar. Deklarimi i pavërtetë përbën në këtë rast edhe një dëm të drejtpërdrejtë ndaj punonjësve tuaj, duke u cenuar atyre të drejtën e përfitimit të merituar të pensionit, si dhe ndaj të ardhurave publike që burojnë nga sistemi i kontributeve shoqërore”, thuhej në letër.

Po ashtu thuhej se ata do të jenë objekt i një hetimi të thelluar për evazion tatimor, në rast mosreflektimi të këtyre të ardhurave përmes vetërregullimit të deklarimeve mbi pagat dhe kontributet shoqërore të punonjësve.

Ministria e Financave, pas datës së përcaktuar, do të nisë aksionin në terren në rast se subjektet nuk i përgjigjen thirrjes së tatimeve.

Ky plan është bërë i ditur nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Sipas saj, janë rreth 10 mijë e 550 subjekte që kanë marrë letrën për vetëkorrigjimin e pagave.

Delina Ibrahimaj

Plani kundër informalitetit do të shtrihet përgjatë gjithë vitit.

Ndër të tjera, ministrja Ibrahimaj në daljen e saj për media tha se rritja e pagës minimale në 32 mijë lekë do të hyjë në fuqi nga 1 korriku 2022, së bashku me ndërhyrjet e tjera të paketës fiskale për ndryshimin e tatimit për pagat.

Rrjedhja e të dhënave

Të mërkurën e 22 dhjetorit u publikuan pagat për muajin janar 2021.

Një ditë më pas, të enjten e 23 dhjetorit, ndërkohë që kryeministri Edi Rama po jepte shpjegime mbi rrjedhjen e të dhënave, u publikua lista e pagave të muajit prill 2021, për të gjithë punonjësit e sektorit publik dhe privat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore