Përballje

Përfundojnë ndeshjet e dyta në Europa Leauge, Uzuni gjen rrjetën


Kanë përfunduar edhe ndeshjet e orës 21:00 të fazës së dytë të grupeve në Ligën e Evropës.

Në takimin e Grupit G, Betis realizoi fitore në udhëtim te Ferencvaros me rezultat 1:3, ku për hungarezët realizoi sulmuesi shqiptar, Myrto Uzuni, ndërsa golat për spanjollët i shënuan Fekir, Tello dhe tjetri ishte autogol i Wingo.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Bayer Leverkusen shënoi fitore të thellë në udhëtim te Celtic, me rezultat 0:4. Gjermanët realizuan nga dy gola në secilën pjesë, ku ishin katër golashënues të ndryshëm.

Hincapie dhe Wirtz realizuan në 45-minutëshin e parë, derisa në të dytin rrjetën gjetën edhe Alario e Adili.

Me këtë fitore Leverkusen merr vendin e parë në grup së bashku me Betis me nga gjashtë pikë, ndërsa Ferencvaros dhe Celtic mbeten pa pikë.

Ndërkohë në ndeshjen e Grupit E, Lazio ka mposhtur Lokomotivën e Moskës me rezultat të pastër 2:0.

Basic në minutën e 13-të dhe Patric në të 38-tën realizuan golat për italianët, derisa rrjetat nuk u prekën më deri në fund të takimit.

Me këtë fitore Lazio zë vendin e dytë në Grupin E, me tri pikë të grumbulluara, derisa rusët e Lokomotivës pozicionohen në vendin e fundit me një pikë.

Dueli tjetër i këtij grupi i zhvilluar mes Marselle dhe Galatasaray, përfundoi pa gola.

West Ham shënoi fitore me rezultat 2:0 kundër austriakëve të Rapid Vienës. Në secilën nga dy pjesët anglezët realizuan nga një gol, për tre pikët e radhës në grup.

Me këtë fitore, West Ham pozicionohet e para në Grupin H me gjashtë pikë, ndërsa Dinamo Zagreb e cila mposhti sonte në udhëtim Genk-un, pozicionohet e dyta me tri pikë.

Në ndeshjet tjera të zhvilluara në orën 21:00, Braga mposhti Midtjylland në shtëpi me rezultat 3:1 dhe Crvena Zvezda mposhti në udhëtim Ludogorets.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore