Sport

Përfundojnë katër sfida në Superiore, Apolonia skuadra e parë që bie nga kategoria


Kanë përfunduar katër sfida të javës së 33 në Kategorinë Superiore. Vllaznia, Kukësi dhe Teuta ia kanë dalë të marrin nga tri pikë të plota. Apolonia bëhet skuadra e parë që bie nga kategoria, pas humbjes me Kukësin.

Në Ballsh, Vllaznia ia ka dal për herë të dytë brenda këtij sezoni të dali me tri pikë. Shkodranëve ashtu si në ndeshjen e parë, u mjaftoi një gol për të dalë fitues në këtë sfidë.

Golin e vetëm të takimit e shënoi Albion Avdijaj në minutën e 38 të pjesës së parë. Me fitoren e arritur, Vllaznia shkon në kuotën e 57 pikëve në vendin e katërt, ndërsa Bylisi qëndron në vendin e nëntë me 30 pikë.

Teuta ka marrë një fitore me shumë vlerë përballë Kastriotit vendas, që i mban në vend të parë. Durrsakët fituan me rezultatin 1-2, falë dy golave të ardhur nga Emiljano Vila në minutën e 42 të pjesës së parë dhe Dejvi Bregut në minutën e 54 të pjesës së dytë. Golin për vendasit e shënoi Ermir Rezi në minutën e 69.

Me fitoren e arritur, Teuta shkon në kuotën e 62 pikëve në krye të Superiores. Kastrioti merrë humbjen e katër radhazi, duke qëndruar përsëri në kuotën e 31 pikëve në vendin e shtatë.

Kukësi ia ka dalë të marrë tri pikët në Fier përballë Apolonisë vendase. Verilindorët fituan me rezultatin 0-3. Golat u shënuan nga Agim Ibrahimi në minutën e 25 të pjesës së parë, Redon Dragoshi në minutën e 55 të pjesës së dytë dhe Gjelbërim Taipi në minutën e 79.

Me fitoren e arritur, Kukësi shkon në kuotën e 42 pikëve, duke qëndruar në mesin e artë të tabelës. Në krahun tjetër, Apolonia bëhet skuadra e parë që bie nga Superiorja për këtë sezon.

Laçi ka ngecur në shtëpi përballë Skënderbeut, në atë barazim pa gola. Vendasit shkojnë në kuotën e 57 pikëve në vendin e tretë, po aq pike sa edhe Vllaznia. Skënderbeu shkon në kuotën e 31 pikëve, në vendin e tetë, duke barazuar Kastriotin.

Ndeshja e fundit e ditës së enjte dhe e javës së 33 në Superiore do të luhet në “Air Albania” midis Partizanit dhe Tiranës, duke filluar nga ora 19:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore