Lajme

Përfaqësuesi rus ngre pikëpyetje mbi helmimin e Navalny-t


Mjafton një grimcë informacioni dhe përfaqësuesi rus në Vjenë, Mikhail Ulyanov risjell në vëmendje helmimin e kritikut të Kremlin-it, Alexei Navalny.

Sipas tweet-it të tij më të fundit, ekziston një rastësi e diskutueshme midis momentit të helmimit në avion gjatë udhëtimit nga Siberia dhe angazhimit të autoriteteve shëndetësore gjermane.

“Rrëfim i vlefshëm. Kjo do të thotë që Gjermania dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) vendosën në dispozicion një ekip brenda disa orësh pasi Navalny nuk u ndje mirë në bordin e një aeroplani rus që po drejtohej nga një qytet rus në tjetrin. Ndonjë koment?”, shkruan Ulyanov.

Ai mori shkas nga raportimet e OPCW-së, se më 20 gusht 2020 me kërkesë të Gjermanisë, Sekretariati vendosi një ekip për të kryer një vizitë me asistencë teknike në lidhje me helmimin e dyshuar të një shtetasi rus.

“Le të kujtojmë”, shkruan ai, “që Navalny u shtrua në spital pikërisht në të njëjtën datë”.

OPCW

Në dokumentin e zbardhur nga OPCW-ja shkruhet se qeveria e Gjermanisë, në një komunikim drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të OPCW më 4 shtator 2020, kërkoi asistencë teknike nga Sekretariati i OPCW-së në lidhje me dyshimet për helmim të një shtetasi rus, Alexei Navalny, më 20 gusht 2020 në Federatën Ruse.

Më tej shkruhet se, autoritetet gjermane informuan OPCW-në se Navalny ishte duke u trajtuar në një spital në Berlin. Drejtori i Përgjithshëm vendosi që të
dërgojë një ekip në Gjermani për një vizitë të asistencës teknike (TAV).

Ekipi i TAV-it u vendos në Gjermani më 5 shtator 2020 dhe u informua nga autoritetet gjermane në të njëjtën ditë.

Ekipi u informua se misioni ishte kufizuar në mbledhjen e mostrave biomjekësore nga Navalny. Asnjë tjetër informacion nuk u nda nga autoritetet gjermane.

Ulyanov në bashkëbisedim e sipër e konsideron të gjithë këtë inskenim si “gafë”.

“Ndodh”, shkruan ai, “në prill të vitit 2017, sarina u përdor në Khan Sheikhoun, Siri”.

Ai shton se Damasku u fajësua. 50 persona aplikuan për ndihmë mjekësore.

“OPCW-ja e shpjegoi këtë situatë si ‘të mangët’ në regjistrimin mjekësor”, thotë Ulyanov.

Ndërtimi i situatës

Rusia pohonte kohë më parë se Navalny mund të ishte helmuar në Gjermani ose në aeroplanin për në Berlin.

Moska njoftoi gjithashtu asokohe sanksione hakmarrëse të planifikuara kundër Francës dhe Gjermanisë lidhur me helmimin e pretenduar.

Organizata globale për Ndalimin e Armëve Kimike konfirmoi se një agjent nervor Novichok ishte i pranishëm në mostrat e gjakut të Navalny.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov njoftoi se punonjësit e udhëheqësve francezë dhe gjermanë gjithashtu do të shënjestroheshin nga masat.

“Meqenëse sanksionet (evropiane) synonin zyrtarë të administratës presidenciale ruse, sanksionet tona hakmarrëse do t’i pasqyrojnë ato”, deklaronte Lavrov në një konferencë shtypi.

Moska hidhte poshtë çdo përgjegjësi në helmimin e Navalny dhe ka pretenduar vazhdimisht se çdo akuzë është një komplot për të dëmtuar Rusinë.

“Ne kemi arsye të supozojmë se çfarëdo që t’i ndodhte Navalny-t në lidhje me substancën toksike në trupin e tij mund t’i kishte ndodhur në Gjermani ose në aeroplanin ku ai ishte ngarkuar dhe dërguar në klinikën Charite”, shprehej Lavrov.

Ministri i Jashtëm nuk arriti të gjeneronte prova ose detaje të mëtejshme mbi këtë pretendim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore