Lajme

Përfaqësuesi i Lartë i BiH-së alarmon për “rrezikun e shpërbërjes” së shtetit


Ushtarët e Eufor kryejnë një stërvitje në Sarajevë, Bosnje dhe Herzegovinë.

Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën (BiH), Christian Schmidt, ka paralajmëruar se ky vend është në rrezik shpërbërjeje dhe se ekzistojnë gjasa “shumë reale” për rikthimin e tij në konflikt.

Schmidt, në një raport dorëzuar OKB-së, u shpreh se “nëse separatistët serbë zbatojnë kërcënimin e tyre për të krijuar ushtrinë, duke i ndarë forcat e armatosura kombëtare në dysh”, në Bosnjë duhet të dërgohen më shumë trupa paqeruajtës ndërkombëtarë, “për të ndaluar një lufte të re”.

Aktualisht, detyrat paqeruajtëse ndërkombëtare në Bosnjë përmbushen nga Eufor (forcë e mbetur e BE-së që përbëhet nga 700 trupa).

Sa i përket NATO-s, që e ka selinë në Sarajevë, ruan një qëndrim formal.

Schmidt, një ish-ministër i qeverisë gjermane, do ta merrte postin si Përfaqësues i Lartë për BiH në muajin gusht.

Në raportin e tij të parë, ai paralajmëroi se Bosnja po përballej me “kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës”.

“Udhëheqësi serb, Milorad Dodik, po kërcënon me tërheqjen nga institucionet e nivelit shtetëror, përfshirë ushtrinë kombëtare, e cila u krijua me ndihmën ndërkombëtare gjatë çerek shekullit të kaluar, dhe se do të rindërtojë një forcë serbe”.

Udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik.

Më 14 tetor, ai kërcënoi me ndarjen e Republika Srpskës (entitet i banuar me shumicë serbe) nga pjesa tjetër e Bosnjës.

Ai deklaroi se do të detyronte ushtrinë boshnjake të tërhiqej nga Republika Srpska, duke rrethuar kazermat e saj. Po ashtu, u shpreh se, nëse Perëndimi do të përpiqej të ndërhynte ushtarakisht, ai kishte “miq”, të cilët kishin premtuar të mbështesin kauza serbe – referencë e supozuar për Serbinë dhe Rusinë.

Policia serbe e Bosnjës kreu stërvitje “kundër-terroriste” muajin e kaluar në malin Jahorina, nga ku forcat serbe kishin bombarduar Sarajevën gjatë një rrethimi të viteve 1992-95.

“Kjo është e barabartë me shkëputjen, pa e shpallur atë”, shkroi Schmidt në raportin, të cilin ia dorëzoi sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, të premten.

Sipas tij, veprimet e Dodik “rrezikojnë jo vetëm paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit, por – nëse nuk përgjigjen nga komuniteti ndërkombëtar – mund të çojnë në prishjen Marrëveshjes së Dejtonit”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se “nuk e ka lexuar raportin e Përfaqësuesit të Lartë të Bosnjes dhe Hercegovinës, Christian Schmidt”, por se, sipas tij, “Republika Srpska po e respekton Marrëveshjen e Dejtonit”.

“Kur e shpërbënë ish-Jugosllavinë, ata thanë se të gjithë, madje edhe provincat mund të shkëputen, por nëse serbët duan të shkëputen, atëherë kjo është e pamundur”, deklaroi Vuçiç prej Glasgow.

Përfaqësuesi i lartë tha se ishte e mundur që të kishte përleshje midis agjencive kombëtare të zbatimit të ligjit boshnjak dhe policisë serbe të Bosnjës.

“Nëse forca e armatosur e BiH ndahet në dy ose më shumë ushtri, niveli i pranisë ushtarake ndërkombëtare do të kërkonte rivlerësim”, paralajmëroi Schmidt.

“Mungesa e përgjigjes ndaj situatës aktuale do të rrezikonte marrëveshjen e Dejtonit, ndërsa paqëndrueshmëria në BiH do të kishte implikime më të thella rajonale”, tha ai. “Perspektivat për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm janë shumë reale”.

Paralajmërimet e Schmidt-it u dorëzuan, ndërsa Këshilli i Sigurisë i OKB-së po përgatiste rezolutën vjetore, për rinovimin e mandatit të paqeruajtjes për Eufor-in dhe selinë e NATO-s, që do të votohet të mërkurën e 3 nëntorit.

Moska po kërcënon të bllokojë rezolutën, nëse nuk hiqen të gjitha referencat për përfaqësuesin e lartë.

Kremlini kundërshtoi emërimin e Schmidt nga një Këshill për Implikimin e Paqes – një organ shumëkombësh i krijuar për të zbatuar marrëveshjen e paqes të Dejtonit dhe refuzon të njohë autoritetin e tij.

“Unë dyshoj se ajo që Rusia dëshiron në të vërtetë është të heqë dorë nga autoriteti i zyrës së përfaqësuesit të lartë duke e ndaluar atë të informojë këshillin”, tha një diplomat i njohur me diskutimet.

Kurt Bassuener, bashkëthemelues dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit të Politikës së Demokratizimit (institut me qendër në Berlin), tha se: “duket sikur amerikanët, britanikët dhe francezët në mënyrë efektive kanë rënë dakord të heqin vërtet referencat për përfaqësuesin e lartë”.

Tutje shtoi dhe se, “ndërsa ligjërisht kjo nuk e nënvlerëson përfaqësuesin e lartë, politikisht është e sigurt”.

Ushtarët e Eufor-it.

Edhe nëse mandati i Eufor-it rinovohet, ka pak gjasa që BE të rrisë forcën e vogël paqeruajtëse të mbetur në Bosnjë.

Disa shtete anëtare, veçanërisht Hungaria, e mbështesin Dodikun.

Jasmin Mujanović, shkencëtar politik boshnjak, u shpreh se “sado e pamundur që të jetë, Dodiku do të përpiqet për të krijuar mundësi të reja”.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, javën e kaluar i tha Kongresit se SHBA po punon me BE-në për të “siguruar që të ketë pasoja për çdo veprim të paligjshëm ose destabilizues” në Bosnjë.

Mirëpo, është e paqartë nëse administrata Biden do të mbështeste një kthim në paqeruajtjen e NATO-s.

Alida Vraçiç, kreu i një instituti kërkimor me bazë në Bosnjë, tha se ndjenja e vazhdueshme dhe përkeqësimi i krizës u lejon udhëheqësve të vendit të maskojnë dështimin e tyre.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore