Lajme

Perëndimi “njëzëri”: Njohja ruse e rajoneve separatiste shkel marrëveshjet e Minsk-ut


Tensionit midis Ukrainës dhe Rusisë iu rindez të martën e 15 shkurtit një tjetër vatër konflikti – më saktësisht rajonet separatiste të Ukrainës Lindore.

Fill pas lajmit që parlamenti rus kaloi përmes votimit kërkesën për njohjen e Donetsk-ut dhe Luhansk-ut, ka ardhur reagimi i Perëndimit.

Fillimisht, ishte autoriteti diplomatik i Ukrainës, që dënoi këtë veprim të legjislaturës ruse.

“Njohja e Rusisë e të ashtuquajturave ‘Republikave Popullore të Donetsk-ut dhe Luhansk-ut’ do të jetë e barabartë me tërheqjen e saj të qëllimshme nga Marrëveshjet e Minsk-ut”, lexohet në qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme ukrainase.

Diplomacia ukrainase i bëri thirrje Moskës zyrtare që të mbajë “një qëndrim konstruktiv drejt arritjes së përparimit në kuadrin e formateve ekzistuese të negociatave”.

Në të njëjtën linjë qëndrojnë dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat e konsiderojnë votimin e Dumës si një përpjekje për të shkelur sovranitetin e Ukrainës.

Ambasada amerikane në Kiev e cilëson veprimin e asamblesë ruse si një shkelje e qartë e marrëveshjeve të Minsk-ut.

BE-NATO

Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, e dënoi fuqishëm vendimin e parlamentit rus.

“BE-ja dënon fuqishëm vendimin e Dumës së Shtetit Rus për t’i paraqitur një thirrje Presidentit Putin për të njohur zonat e kontrolluara joqeveritare të rajoneve Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës si entitete të pavarura”, nënvizon reagimi i eurodiplomatit.

Sipas tij, kjo njohje do të ishte një shkelje e qartë e marrëveshjeve të Minsk-ut.

Borrell ravijëzoi mbështetjen dhe angazhimi e BE-së për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Kjo, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Në përmbyllje të mesazhit, përfaqësuesi i bëri thirrje Rusisë që të mbajë angazhimet e saj.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pohoi se njohja ruse e rajoneve Donetsk/Luhansk “do të jetë një shkelje e hapur e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës”.

Për ish-kryeministrin norvegjez, ky vendim do të jetë gjithashtu një shkelje e marrëveshjeve të Minsk-ut.

Sipas Stoltenberg, në këtë mënyrë do të bëhej edhe më e vështirë gjetja e një zgjidhjeje politike.

I vetmi zyrtar që kërkoi reagim nga BE-ja në rast të njohjes së këtyre rajoneve të shkëputura të Ukrainës, ishte ministri i Jashtëm letonez, Edgars Rinkevics.

Rinkevics ka bërë thirrje që unioni duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Votimi

Parlamenti rus (Duma) votoi me shumicë dërrmuese për t’i kërkuar presidentit Vladimir Putin që të njohë zyrtarisht dy “rajonet” separatiste të Ukrainës juglindore.

Ky veprim “godet” marrëveshjen e armëpushimit të vitit 2015 midis Ukrainës dhe Rusisë.

Duma po vendoste midis dy opsioneve. Fillimisht mund ta pyesë drejtpërdrejt presidentin, siç kërkohet nga opozita komuniste.

Së dyti, mund të konsultohet me Ministrinë e Jashtme, siç propozohet nga partia e shumicës “Rusia e Bashkuar”.

Me 351 vota pro dhe 16 vota kundër, ajo bëri zgjedhjen fillestare.

Ky zhvillim vjen në një moment jashtëzakonisht të tensionuar mes palëve.

Rusia aktualisht po dërgon sinjale të përziera rreth synimeve të saj.

Precedentët

Vendimi i Moskës për tërheqjen e disa prej trupave të saj nga kufiri ukrainas u reflektua menjëherë në tregjet botërore.

Përgjigja e Putin-it ndaj votimit të Dumës do të tregojë nëse ai dëshiron një përshkallëzim apo mospërshkallëzim të krizës.

Deri më tani, asnjë shtet nuk ka njohur Republikat Popullore të Donetsk-ut dhe Luhansk-ut, të cilat shpallën pavarësinë nga Ukraina në vitin 2014.

Kjo, pas revolucionit që rrëzoi presidentin ukrainas pro-rus, Viktor Janukoviç.

I vetmi ent i jashtëm që njeh republikat e Donbas-it është Osetia e Jugut, një enklavë pro-ruse në Gjeorgji.

Osetia e Jugut u pushtua nga ushtria ruse në vitin 2008. Asokohe, Rusia pushtoi Gjeorgjinë me pretekstin se po mbronte separatistët e Osetisë së Jugut kundër agresionit gjeorgjian.

Rusia u tërhoq më pas, duke e lënë Osetinë e Jugut si “konflikt të ngrirë” në kufijtë e saj.

Duma më pas votoi për të njohur zyrtarisht pavarësinë e Osetisë së Jugut.

Këtu mund të tërhiqen “paralele” në lidhje me nevojën e perceptuar që ka Rusia ndaj mbrojtjes së pro-rusëve.

Në muajin dhjetor, Putin do të deklaronte se rusisht-folësit në Donbas po diskriminoheshin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore