Biznes

Përdorimi i teknologjisë në ndërmarrje rritet gjatë pandemisë


Instituti i Statistikave ka publikuar sot raportin për përdorimin e teknologjisë në ndërmarrje për vitin 2020, ku figurojnë me rritje shumica e treguesve. Rritja mund të interpretohet si e imponuar prej distancimit fizik, por është gjithashtu edhe në vijim të trendit rritës të viteve të shkuara.

Në raportin e publikuar ditën e sotme (25 shkurt), vërehet rritja në përdorimin e kompjuterëve për qëllime pune në 98,3%, nga 97,5% që ishte në vitin 2019.

28,2% e ndërmarrjeve kanë specialistë të fushës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, gati 5% më shumë se viti i shkuar.

Në nivelin e punonjësve, 27,2% të të punësuarve rezultojnë se përdorin kompjuterin për qëllime pune. Treguesi është me rritje të lehtë nga e njëjta periudhë e vitit 2019.

Industritë përpunuese shënojnë përdorimin më të pakët të përdorimit të kompjuterit në punë me 8,0%. Në vend të dytë është industria e ndërtimit me 16,2%.

Në skajin e kundërt, përdorimin më të gjerë të kompjuterëve e kanë sigurisht punonjësit e ndërmarrjeve me aktivitete në fushën e informacionit e komunikacionit dhe ata me aktivitet në riparimin e pajisjeve elektronike e të komunikimit. Respektivisht, përdorimi i kompjuterëve është në masën 75,5% dhe 73,7% për këto ndërmarrje.

Përsa i përket lidhjes me internetin, 98,2% e ndërmarrjeve që përdorin kompjuterin për qëllime pune, përdorin edhe internetin.

Të ndara sipas numrit të punonjësve, ka rritje të përdorimit të internetit në ndërmarrjet me të punësuar nga 10 në 49 dhe zbritje për ndërmarrjet me 50 në 249 të punësuar. Ndërsa kompanitë me 250 e më shumë të punësuar, ruajnë nivelin 100% të përdorimit të internetit.

Me interes është që për këtë vit janë 12,8 % e ndërmarrjeve që kanë shitur produkte/shërbime nëpërmjet faqes së internetit, aplikacioneve të dedikuara, faqeve të internetit e-commerce dhe aplikacioneve të përdorura nga ndërmarrje të ndryshme për tregti të produkteve. 

Nga këto, shumica e ndërmarrjeve janë në fashën e aktiviteteve të akomodimit dhe atyre të shërbimit të ushqimit, me 38,2%.

Nga teknologjitë inovatore, printimi në 3D është përdorur nga 5,5% e ndërmarrjeve, me zbritje nga 6,1% që ishte në vitin 2019. Përdorimi i robotikës në ndërmarrje është për vitin 2020 në masën 4,2%.

Në fund, statistikat tregojnë edhe përdorimin e rrjeteve sociale nga ndërmarrjet që përdorin kompjuter me akses në internet. Ky tregues, që përfshin përdorimin e platformave Facebook, LinkedIn, Twitter, Youtube etj, është në nivelin 66,6%. Përdorimi i rrjeteve sociale është i shtuar krahasimisht me vitin 2019, kur rezultonte në masën 59,5%.

89,7% e ndërmarrjeve kanë shfrytëzuar ekspozimin në media sociale për të përmirësuar imazhin e ndërmarrjes ose të produkteve specifike. Në vitin 2019, përqindja ishte në 82,2%.

Përdorimi i teknologjisë do të shënjojë të ardhmen e të bërit biznes. Shqipëria momentalisht ruan një trend të qëndrueshëm rritës. Megjithatë, përshpejtimi i tranzicionit në ekonominë digjitale, kërkon shtim të ndjeshëm në investime e hulumtime në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore