Lajme

Përça dhe sundo: Arsyetimi i Rusisë për ndalimin e rrjedhave të gazit në Poloni dhe Bullgari


Rusia ka nisur kundërsulmin më të madh kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian, duke shkurtuar rrjedhën e gazit në Poloni dhe Bullgari.

Kjo, për shkak të refuzimit të tyre për të përdorur një mekanizëm të ri pagese, sipas të cilit Moska mund të aksesojë paratë që merr për eksportet e energjisë.

Lëvizja e Gazprom-it, furnizuesi rus i gazit i mbështetur nga shteti, ka tronditur tregjet globale të gazit.

Ajo i ka shtyrë çmimet drejt rritjes, duke ofruar një kujtesë të gatishmërisë së Kremlinit për të ndaluar eksportet e energjisë nga Evropa.

Përveç rritjes së frikës për sigurinë energjetike të bllokut, vendimi i dy vendeve anëtare për të refuzuar metodën e re të pagesës së Kremlinit ka shtruar pyetjen e unitetit evropian kundër Rusisë në ballë.

Pse po ndodh kjo?

Presidenti Vladimir Putin, në fund të marsit, dekretoi që blerësit e gazit nga të ashtuquajturat vende jomiqësore, që përfshin të gjithë BE-në, duhej të krijonin llogari bankare në rubla me Gazprombank në Zvicër për të paguar për furnizimet.

Masa u pa si një mënyrë për të neutralizuar sanksionet e BE-së kundër Bankës Qendrore të Rusisë.

Prej asaj kohe është ndezur debati nëse skema shkel si sanksionet e BE-së kundër Moskës dhe kontratat e furnizimit me gaz.

Këto të fundit specifikojnë monedhën e pagesës, e cila është euro dhe dollarë për pothuajse të gjithë Evropën.

Kurse kërkesa e deklaruar e Putin-it ka qenë që blerësit e gazit rus të paguajnë në rubla.

Debati mbi mekanizmin e propozuar të Moskës duke përdorur Gazprombank përqendrohet nëse pagimi në këtë mënyrë është një pagesë në rubla ose një pagesë në valutë të huaj.

Sakaq, skema e Rusisë hyri në fuqi më 1 prill.

Polonia dhe Bullgaria, dy nga avokatët më të zëshëm të BE-së për ndërprerjen e shpejtë të varësisë nga gazi rus, ndodhi që ishin vendet, pagesat e të cilave duhej të paguheshin më shpejt, siç përcaktohet në kontrata.

Si do të ndikojë ndalimi në Poloni dhe Bullgari?

Polonia dhe Bullgaria importojnë vëllime të mëdha të gazit rus, duke llogaritur përkatësisht 45 për qind dhe 80 për qind të nevojave të tyre, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Së bashku, kontratat e tyre, i lejojnë ata të importojnë 13 miliardë metra kub gaz rus, ekuivalente me rreth tetë për qind të importeve të BE-së të gazit rus vitin e kaluar.

Megjithatë, ndalimi i këtyre furnizimeve nuk pritet të shkaktojë probleme serioze për asnjërin për shkak të rënies së kërkesës gjatë temperaturave më të ngrohta të pranverës.

Magazinimi i gazit në Poloni është jashtëzakonisht i lartë për këtë periudhë të vitit në 76 për qind të kapacitetit pasi vendi siguroi vëllime të mëdha të gazit natyror të lëngshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Prej vitesh, Bullgaria dhe Polonia kanë punuar për të reduktuar varësinë nga furnizimet ruse dhe kanë planifikuar që kontratat e tyre me Gazprom-in të skadojnë në fund të vitit.

Varshava ka zgjeruar një terminal të gazit të lëngshëm në portin Baltik Swinoujscie dhe një ndërlidhës i ri me Lituaninë do të fillojë të punojë në maj.

Një tubacion gazi që lidh Poloninë me fushat e gazit të Norvegjisë do të hapet në tetor.

Ndërkohë, një ndërlidhës i ri i tubacionit midis Bullgarisë dhe Greqisë që do të sjellë furnizime nga Azerbajxhani do të fillojë të funksionojë në korrik.

Cilat vende mund të goditen më pas?

Afatet për blerësit e ndryshëm evropianë për të paguar gazin rus është i paqartë, sepse kontratat midis Gazprom-it dhe klientëve të tij janë konfidenciale.

Por shumica e kompanive pritet të përballen me kohën e krizës në maj, kur duhet të paguhet pagesa për gazin e dorëzuar në prill, sipas zyrtarëve rusë.

Vëmendja është kthyer te reagimi i Gjermanisë dhe Italisë, dy importuesit më të mëdhenj të gazit rus në kontinent.

Uniper në Gjermani dhe Eni në Itali, dy nga blerësit më të mëdhenj evropianë të gazit rus, kanë thënë se afatet e pagesës janë afër fundit të majit.

Sakaq, analistët dyshojnë nëse do të ishte në interesin e Moskës të ndalonte rrjedhën e gazit për klientët më të mëdhenj.

Çfarë do të bëjë BE-ja?

Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, akuzoi Rusinë se po përpiqet të përdorë gazin si “një instrument shantazhi”, duke penguar flukset drejt Polonisë dhe Bullgarisë.

BE-ja, megjithatë, ka luftuar për të dalë me një përgjigje përfundimtare nëse kompanitë dhe vendet anëtare duhet të pajtohen me mekanizmin e ri të Putin-it.

Hungaria ka dhënë indikacionet më të forta se do të përmbushë kërkesën e Moskës për të miratuar një mekanizëm të ri pagesash.

Po ashtu Gjermania, Austria dhe Sllovakia kanë treguar se mund të pajtohen.

Megjithatë, Von der Leyen ka paralajmëruar kompanitë që të mos krijojnë llogari në Gazprombank siç ka kërkuar Kremlini.

Kurse analistët janë të mendimit se masa e Kremlinit shërben për të ndarë Evropën, duke sjellë dhimbjen e miratimit të sanksioneve.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore