Boks

Përballje titanësh me 100%, e konfirmon Fury


Tyson Fury, kampioni i peshave të rënda, beson se superndeshja e shumëpritur me homologun e tij britanik, Anthon Joshua, do të zhvillohet me “100%”. Data e saktë, së bashku me vendndodhjen, do të bëhen me dije në ditët e ardhshme.

Përfaqësues të të dy kampionëve të peshave të rënda (Fury dhe Joshua) po shqyrtojnë ofertat e bëra nga stadiume, arena dhe qendra të ndryshme, ku mund të zhvillohet ndeshja.

Një ofertë nga Arabia Saudite është hedhur tashmë dhe Fury thotë se ka edhe oferta të tjera, të cilat po i marrin në konsideratë.

Kampioni i Këshillit Botëror të Boksit (WBC) paralajmëroi: “Nëse nuk do të kenë asgjë të qartë deri të martën, unë do vazhdoj përpara pa ta”, tha Fury për Behind The Gloves.

32-vjeçari shtoi se: “Gjithmonë kam qenë skeptik për këtë organizim, por, duke parë gjithë ofertat në radhë, mund të them se do të ndodhë me 100% – më shumë akoma, 1 milion për qind! Besoj se çdo gjë që duhet të dimë, do të vijë ditët e ardhshme”, përfundoi Fury.

Fury rrezikon titullin e tij të WBC-s, ndërsa Joshua IBF-n (Federata Ndërkombëtare e Boksit), WBO-n (Organizata Botërore e Boksit) dhe WBA-n (Shoqëria Botërore e Boksit). Parashikohet që ndeshja të kalojë çdo sukses të mëparshëm, edhe atë të rivalitetit historik Ali – Frazier.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore