Sport

Përballja me Norvegjinë, Elezaj dhe Lufo: Vlerësim maksimal për kundërshtarët


Kombëtarja e femrave të Shqipërisë do të ketë dy ndeshje kualifikuese këtë muaj për Kupën e Botës, Australi – Zeland e Re 2023. Nën drejtimin e trajnerit, Armir Grima, vajzat kuqezi janë grumbulluar në Durrës prej disa ditësh.

Sfida e parë për këtë muaj do të luhet të enjten e 25 nëntorit në “Air Albania” përballë Norvegjisë, duke filluar nga ora 20:10. Dhe më pas do të ndeshen me Kosovën në “Fadil Vokrri”.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Norvegjinë kanë folur dy lojtaret, Endrina Elezaj dhe Esi Lufo. Ato konfirmuan gjendjen optimale të skuadrës dhe theksuan se e vlerësojnë kundërshtarin.

Elezaj u shpreh se “Atmosfera paraqitet mjaft mirë. Kemi filluar me stërvitjen, kanë ardhur edhe vajzat nga jashtë. Jemi kompletuar i gjithë ekipi dhe jemi gati”.

“Pavarësisht se është një konkurrent shumë i fortë, ne mendojmë të marrim pikë maksimale nga të dyja ndeshjet. Na favorizon ndeshja me Norvegjinë që e luajmë në Air Albania, ku ndeshjen e fundit kemi marrë edhe rezultat pozitiv, tre pikë me Armeninë”, shtoi ajo.

Edhe Lufo konfirmoi atmosferën e mirë që mbizotron në kombëtare, duke shtuar se “Po mundohemi që të japim maksimumin në stërvitje për të qenë sa më të bashkuara dhe për të krijuar atmosferën që të shkojmë në ndeshje me emocionet e duhura në ekip”.

“I vlerësojmë të dyja ekipet dhe do futemi në fushë si të barabarta me ato. Do bëjmë lojën tonë për të marrë një rezultat pozitiv dhe për t’u ngjitur sa më lart në grupe”.

“’Air Albania’ është shndërruar si shtëpia jonë dhe ne e quajmë si një stadium me fat, pasi morëm dhe fitoren e parë aty dhe shpresoj të vazhdojmë me të njëjtin rezultat dhe të njëjtin ritëm, përfundoi Lufo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore