Lajme

Përballja me inflacion – katër propozimet e Hotit për Qeverinë


Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka listuar katër veprime që sipas tij e zbusin krizën dhe i ndihmojnë qytetarëve të Kosovës për t’u përballur me inflacionin.

E para sipas tij, është indeksimi i pagave, subvencioneve në bujqësi, pensioneve dhe ndihmave sociale me normën e inflacionit, ndërsa e dyta rritja e pagës minimale në sektorin privat.

Të tretën Hoti e ka listuar uljen e TVSH nga 18 për qind në 8 për naftë dhe për disa produkte ushqimore që ende janë me 18 për qind TVSH.

E katërta sipas tij, është “pezullimi i përkohshëm i akcizës në naftë”.

“Kjo qeveri jo vetëm që nuk po ul tatimet, por po e zvogëlon qarkullimin në ekonomi edhe duke mos implementuar qindra miliona euro investime kapitale”, ka shkruar ai në Facebook.

Deputeti i LDK-së ka theksuar se “sikur të ishin futur në ekonomi qindra miliona euro përmes projekteve kapitale, krahas uljes së tatimeve, do të rritej kërkesa agregate dhe do të parandalohej thellimi i krizës”.

“Të gjitha këto masa nuk paraqesin problem për deficitin buxhetor, pasi bilanci bankar i Qeverisë është rekord i lartë. Këto veprime mund të merren menjëherë dhe jam i sigurt se e kanë mbështetjen e të gjitha palëve”.

Kurti: Prezanton pakon e re ekonomike, synon ta luftojë inflacionin

Ndërkaq më 3 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, në një konferencë për media të shtunën, ka prezantuar pakon e re ekonomike që synon mbështetjen e qytetarëve për t’u përballur me krizën inflacionare në vend.

Pika e parë e pakos, sipas Kurtit do të përqendrohet te të gjithë ata të cilët kursejnë energji elektrike.

“Nisur nga gjendja e rënduar me energji, sot më shumë se kurrë është e domosdoshme të kursejmë, andaj do të subvencionojmë ata që do të kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak ne do të subvencionojmë dy fish faturën”, pati thënë Kurti.

Më tej i pari i ekzekutivit ka bërë të ditur se qeveria do të procedojë në Kuvend, Projektligjin për Punë publike, e cila parasheh kompensimin për inflacion për materialet ndërtimore dhe punët përcjellëse për kontratat ekzistuese të punës.

“Kjo me qëllim të përshpejtimit të dinamikës së implementimit të projekteve kapitale”, ka shpjeguar ai.

Pakoja e re, sipas Kurtit parasheh ndarjen e një shume prej 100 eurosh për pensionistët, kurse familjeve me asistencë sociale mbështetje duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.

Kurti më tej ka bërë të ditur se për zyrtarët publik do të ndajnë shtesën prej 50 eurove, duke filluar nga muaji shtator, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 eurosh.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore