Sport

Përballja me Craiova-n në UECL, Gurishta për Albanian Post: Ekip me lojtarë kombëtareje, por nuk na tremb


Një kundërshtar “brenda pritshmërive”.

Kështu e ka cilësuar kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, ekipin kundërshtar Universitatea Craiova, me të cilin do të përballen në kuadër të turit të dytë të UEFA Europa Conference League (UECL).

Sakaq, një ditë pasi ka mësuar emrin e ekipit kundërshtar, skuadra e Vllaznisë së Shkodrës ka dalë në stërvitje për t’u përgatitur për dy ndeshjet me rumunët.

Në një intervistë ekskluzive për Albanian Post (AP), kapiteni Gurishta zbulon se shkodranët nuk kishin ndonjë “preferencë” për kundërshtarët.

Por, nga ana tjetër, thotë ai, “ishim të vetëdijshëm se kalimi direkt në turin e dytë, do të na sillte përballje me një ekip të fortë”.

“Skuadër, sa e njohur, aq edhe e panjohur”

Ekipi rumun nuk është edhe aq i panjohur për kuqeblutë.

Kapiteni kuqeblu thekson se “dimë që Laçi i eliminoi vitin e kaluar në turin e dytë dhe tani përsëri në këtë raund do të kenë një ekip shqiptar”.

“Kam përshtypjen se do të na vlerësojnë shumë. Është një skuadër shumë e fortë financiarisht dhe me lojtarë të Kombëtares së Rumanisë. Por, kjo nuk na tremb, na motivon”, thekson Gurishta.

“Me rëndësi shpirti i garës sesa ana financiare”

Fill pas hedhjes së shortit, presidenti i klubit rumun, Sorin Cartu, deklaroi se ndeshja me Vllazninë “nuk ka asnjë justifikim nëse humbet”.

Madje, ai shkoi deri aty sa e cilësoi si “turp për futbollin rumun” nëse shkodranët i eliminojnë.

Sorin Cartu

Përballë këtij fakti, përgjigjja e Gurishtës është ajo që tregon futbollin e vërtetë, atë që luhet në fushë.

“Nganjëherë më e rëndësishme është dëshira dhe shpirti i garës për të fituar sesa ana financiare”, thekson numri “2”.

“Asgjë nuk është e pamundur në futboll”

Vllaznia do të presë ndeshjen e parë ndaj Craiova-s në “Loro Boriçi” më 21 korrik. Ndërsa, një javë më vonë, do të udhëtojë drejt Rumanisë për sfidën e kthimit.

27-vjeçari tregon për AP se e dëshironte ndeshjen e parë në shtëpi, pasi “e di që stadiumi do të jetë i mbushur dhe mendoj se tifozëria e flaktë mund të jetë një armë plus për të arritur te rezultati pozitiv”.

Vitin e kaluar shkodranët ia dolën të kalonin një raund dhe këtë sezon patën mundësinë të shkonin automatikisht në turin e dytë.

Objektivi minimal, sipas Gurishtës, është “kalimi i të paktën një raundi”, ndërsa shton se “shkalla e vështirësisë është shumë e lartë, të gjithë jemi të vetëdijshëm, por asgjë nuk është e pamundur në futboll”.

“Do të tentojmë kalimin e këtij raundi dhe pastaj të presim shortin”, vijoi ai, i pyetur për mundësinë e arritjes sa më larg të Vllaznisë në UECL.

Në fund, kapiteni kuqeblu i është përgjigjur edhe pyetjes rreth kontratës dhe të ardhmes së tij.

Ai ka vetëm një vit të mbetur në “Loro Boriçi”, por për momentin fokusi është “vetëm te ndeshjet evropiane” dhe “më pas vjen kontrata”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore