Shqipëria

Për Teatrin, pritet vetëm vendimi


Pamje nga shembja e teatrit të vjetër

Një maratonë prej dymbëdhjetë-orësh e shqyrtimit gjyqësor të çështjes së Teatrit Kombëtar nga ana e Gjykatës Kushtetuese, është përmbyllur me hetimin dhe administrimin e provave të paraqitura dhe tashmë mbetet vetëm marrja e vendimit.

Një vendim, i cili do të shpallet në një ditë tjetër, të pacaktuar ende nga Kushtetuesja.

Besimplotë mbi vendimin që do të dalë për çështjen e çuar përpara drejtësisë nga Presidenti i Republikës dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ishte avokatja e mbrojtjes së çështjes, Adriana Kalaja.

“Ajo që konstatova unë gjatë këtij gjykimi, ishte se trupi gjykues, kishte një informacion të saktë në lidhje me çfarë përmban dosja”.

Kështu tha ajo në përfundim të seancës, duke shprehur pozitivitet se vendimi, do të jetë pro ankimuesve.

Ajo e 16 qershorit, ka qenë seanca e tretë për Teatrin Kombëtar. Seancë përmbyllëse, për tashmë një sagë thuajse dy-vjeçare.

Historiku i çështjes së Teatrit

Orët e para të 17 majit të vitit 2020, do ta gjenin gjithë Shqipërinë, por veçanërisht kryeqytetin, përballë lajmit të shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Ngjarja menjëherë krijoi një dyzim në opinionin publik dhe mbi të gjitha, nisi një zanafillë konfliktesh midis disa palëve.

Prej thuajse dy vjetësh, disa aktorë të Teatrit, por edhe aktivistë, i kishin dalë kundër propozimit fillimisht dhe më pas vendimit të Qeverisë, për të prishur godinën. Kjo, sepse sipas tyre, Teatri ishte pjesë e trashëgimisë kulturore dhe nuk mund të prekej.

Nëntë ditë përpara prishjes, më 8 maj 2020, Teatri Kombëtar i kaloi përfundimisht Bashkisë së Tiranës në pronësi. Ishte pikërisht ky vendim, ai i cili i hapi rrugë prishjes së godinës.

Prishja shkaktoi një sërë protestash publike edhe pse vendi gjendej në kohë pandemie. Jo të pakta ishin edhe rastet kur pati konfrontim fizik midis aktivistëve dhe policisë.

Por, ajo që mbetej, ishte një shesh bosh, nje plan i ri për teatrin dhe një grupim njerëzish të mbështetur nga presidenti, për të çuar kauzën në Gjykatën Kushtetuese.

Padia

Presidenti Ilir Meta, e pati çuar vendimin për kalimin e pronës nga Ministria tek Bashkia, më 14 maj 2020, vetëm tre ditë përpara prishjes së godinës.

Sipas Metës, vendimi “cenonte pasuritë publike dhe ishte anti-kushtetues”.

Kjo gjithsesi, nuk e ndaloi shembjen.

Për këtë shkak, çështja u zhvendos nga “të shpëtojmë godinën e Teatrit” në “të rikthejmë godinën e Teatrit”.

Një grupim me aktorë dhe shoqëri civile u formua dhe u prezantuan publikisht si Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Protestat e tyre vazhdonin, si parakusht për refuzimin e vendimit të tashmë, Bashkisë së Tiranës.

Rruga e cila ata ndoqën, ishte mbledhja e një dosje mbi çështjen dhe bashkimi i forcave me presidentin, për t’ia parashtruar Gjykatës Kushtetuese në tryezë.

Kjo e fundit, e shihte veten pa kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar çështje deri më 24 dhjetor.  Me betimin e Përparim Kalos, u plotësua minimalja e pesë anëtarëve nga nëntë.

Tashmë, gjashtë muaj më pas, dosja e parë me peshë në opinionin publik, është shqyrtuar.

E vetmja gjë që pritet për Teatrin, është vendimi!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore