Lajme

Për të katërtën javë radhazi, rriten çmimet e naftës


Në tregjet botërore, çmimet e naftës u rritën javën e kaluar për të katërtën herë radhazi, pasi kërkesa pritet të rritet, kryesisht nga Kina, ndërkohë që OPEC dhe aleatët e tij po kufizojnë prodhimin.

Çmimi i një fuçie në tregun e Londrës u rrit javën e kaluar me 1,5 për qind – në 86,30 dollarë, ndërsa në tregun amerikan çmimi i një fuçie u rrit me 2,4 për qind – në 82,50 dollarë.

Rritja e çmimeve nuk është regjistruar për katër javë radhazi që nga qershori i vitit të kaluar dhe kjo është pasojë e indikacioneve për forcimin e kërkesës.

Javën e kaluar, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) vlerësoi se kërkesa për naftë do të rritet me dy milionë fuçi në ditë këtë vit në një nivel rekord prej gati 102 milionë fuçi në ditë, falë rimëkëmbjes të pjesshme të kërkesës kineze pas heqjes së masave anti-COVID.

Sipas vlerësimeve të agjencisë, oferta duhet të ulet me 400 mijë fuçi në ditë deri në fund të vitit, duke pasur parasysh rritjen e pritshme të ofertës së prodhuesve të pavarur me një milion fuçi në ditë dhe uljen e ofertës nga OPEC me 1.4 milionë fuçi në ditë.

Ndërkohë, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), vlerësoi se kërkesa e verës mund të bjerë nëse rritja e normave të interesit në SHBA prish sezonin e zakonshëm veror të vozitjes dhe rafinerët në Kinë nuk rritin blerjet e naftës.

Çmimet më të larta u mbështetën edhe nga dobësimi i dollarit. Kjo rrit kërkesën për naftë pasi forcon fuqinë blerëse të blerësve me monedha të tjera.

Me lehtësimin e presioneve inflacioniste në SHBA, banka qendrore amerikane pritet të përfundojë së shpejti ciklin e rritjes së normave të interesit, vlera e dollarit kundrejt një shporte valutash ra për të pestën herë radhazi javën e kaluar.

Mbështetje për çmimet kanë dhënë edhe të dhënat që njoftojnë për ulje të prodhimit të naftës në SHBA.

Sipas një raporti nga Baker Hughes, numri i platformave aktive të naftës ra për të tretën javë radhazi, me dy, në një total prej 588 platformash, shifra më e ulët që nga qershori i kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore