Lajme

Për rastin “Pastimi” prokuroria kishte filluar hetimet në vitin 2013


Radio Televizioni i Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë është deklaruar në lidhje me rastin e punëtorit të RTK-së, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për përfitim të hollave përmes një kompanie fantorne.

Nga kjo prokurori kanë deklaruar se aktakuza është ngritur në vitin 2013.

“Prishtinë, 8 tetor 2021– Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e një punëtori të RTK-së, i cili kishte përfituar të holla përmes kompanisë “Pastimi”, ashtu që, ju bëjmë me dije se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 28.06.2013, ka pranuar kallëzim penal nga policia kundër personit me inicialet B.Sh”, njofton prokuroria.

Po ashtu, “Lidhur me këtë çështje penale, prokurorja e rastit ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve më 04.07.2013 dhe pas ndërmar​rjes së një mori veprimesh nga ana e saj, më 11.08.2014, ka ngritur aktakuzë kundër personit të lartcekur, në drejtim të veprave penale “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 425 të KPK-së dhe “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 426 të KPK-së”.

Të njëjtit, në këtë çështje penale, i është konfiskuar shtëpia e banimit dhe automjeti i tipit “Land Rover”.

“Prokurori i shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës ndaj të pandehurit B.Sh., të njëjtën e ka proceduar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë”, thuhet në komunikatë.

Komisioni Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere

472 mijë euro janë ndarë nga Radio Televizioni i Kosovës ndaj një kompanie KRU “Pastimi”, në vend të Kompanisë Rajonale ‘Pastrimi’, për 5 vjet me radhë.

Një ‘R’ që u hoq nga “Pastrimi” në “Pastim”, RTK-së i “pastroi” nga buxheti i saj afro gjysmë milioni euro, dhe asnjë shërbim, asnjëherë, nuk u krye.

Kjo gjë u bë e ditur në mbledhjen e së enjten të Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku raportoi edhe drejtori i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati.

Kastarti tha se ky punëtor që ka bërë këtë veprim është dënuar, por se edhe RTK-ja është dëmtuar.

“Një punëtor tek ne e ka regjistru një kompani, “Pastimi”, pa ‘r’ dhe në mënyrë të vazhdueshme RTK ka derdh para, deri sa është evidentuar. Dëmi është diku rreth 472 mijë euro. Pala me sa e di është dënuar por ne jemi dëmtuar”, tha ai.

RTK 5 vite me rend ka derdhur para në xhirollogarinë e “Pastimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore