Shqipëria

“Për njërën nga ne”, për të gjitha ne; gruaja në vëmendje


Fushata sensibilizimi për shëndetin kemi parë shumë. Së fundmi, edhe fushata për shëndetin e grave dhe vajzave. Mbi të gjitha, fushata për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, deri edhe tek muaji i sensibilizimit ndaj kancerit të gjirit.

Por, Klarisa Rexhvelaj dhe Lorenca Bejko, dy studente të cilat prej kohësh janë aktive në organizime sensibilizuese, mendojnë se çasti i duhur për të folur mbi shëndetin e grave, është çdo ditë.

Prej kohësh, ato mendojnë mbi mënyrat alternative si mund të bëjnë më shumë për familjaret e tyre, mikeshat, për të gjitha gratë në Shqipëri. Nisma e fundit, një urë lidhëse për çdo grua shqiptare, quhet “Për njërën nga ne”.

“Nisma kërkon ndërtimin e marrëveshjeve midis klinikave dhe spitaleve, për t’i ofruar çdo gruaje, në 8 mars, shanse të barabarta për t’u kujdesur për shëndetin”, thotë për Albanian Post Klarisa. “E kemi vënë theksin tek kjo problematikë, duke marrë parasysh nevojën për sensibilizim që ka Shqipëria në këtë çështje”.

Ndër të tjera, ajo shton se “vëmendje, nevojitet jo vetëm këtë muaj”. “Pap testi, eko e gjirit, eko abdominale, nuk duhet të jenë më tabu në Shqipëri”, nënvizon studentja e stomatologjisë.

Për Lorencën ndërkohë, themeluesen e nismës, kjo nuk është hera e parë që merr iniciativa të tilla. Ajo është prej shtatë vitesh aktiviste. Ndër aktivitetet e fundit që ka ndërmarrë, është “Ndihmo Santa Klausin”, ku u mblodhën lodra dhe veshmbathje për fëmijët në nevojë.

“Dita e gruas është një sinonim i protestave globale për të drejtat femërore. Ndaj, po shfrytëzojmë fuqinë e kësaj dite, për të realizuar projektin tonë”, thotë ajo për sfidën e re në rrugëtimin e saj.

Çfarë synohet?

Më 8 Mars, finalizohet puna e ndërmarrë prej muajsh tashmë. Janë dhjetë klinika me të cilat marrëveshja është finalizuar ose është pranë. Gjithashtu, edhe laboratorë mjekësorë. Diskutime, ka edhe me spitale private në Tiranë e Durrës.

“Do të shpërndajmë kupona dhuratë me të dhënat e zonjave që kemi zgjedhur paraprakisht”, pohojnë vajzat me kënaqësi për realizimin e projektit të tyre. “Me anë të këtyre kuponave, ato do të marrin shërbimet pa pagesë, në qendrat e caktuara”.

Kjo nismë nuk do të ndalet në 8 mars. Madje, data e shënuar për gratë, do të jetë vetëm fillimi. “Nuk duam të bëjmë premtime apo parashikime”, thonë vajzat me një lloj droje dhe modestie. “Por, do të bëjmë më të mirën për të sjellë ndryshim dhe lumturi për gratë që nuk e kanë. ‘Për njërën nga ne’, do të ketë nevojë gjithnjë”.

Ekipi është shumë më i gjerë se kaq, pasi të përfshira në projekt janë mbi 15 vajza, secila me historinë e saj. Secila, me përvojën e saj.

Më 8 mars, “Për njërën nga ne”, do të jetë për të gjitha, “Për të gjitha ne”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore