Lajme

Për kryeministrin Novaliç vazhdojnë problemet e skandalit të respiratorëve


Të mërkurën e 28 korrikut, Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës paraqiti një mesazh të shkruar nga Fikret Hoxhiç, pronari i kompanisë ‘Srebrena Malina’, që bleu respiratorët e kontestuar nga Kina, në të cilën theksonte që mund të “gozhdonte” kryeministrin federal, Fadil Novaliç me një copë letër.

Në seancën para Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Prokurori Dermin Pashiç, paraqiti dokumentet dhe korrespondencën që Prokuroria i konsideron si të paligjshme në blerjen e respiratorëve. Ndër të tjera, ai prezantoi fatura të thjeshta që jepen pas dorëzimit të mallit dhe faturat pro-forma që jepen para dorëzimit, për prokurim.

Ai vuri në dukje komunikimin nga 27 prilli i vitit të kaluar midis Hoxhiç dhe K. N. përmes aplikacionit WhatsApp, në të cilin Hoxhiç shkroi:

“A mund ta dërgoj në anglisht vetëm për t’u certifikuar. Nëse nuk mundet, atëherë të paraqis një listë të spitaleve ku do të përdoret.”

Është pohuar se Rexhep Hoxhiç, vëllai i Fikret-it, i dërgoi një faturë agjencisë së kontabilitetit ‘Svjetlost’ më 15 qershor 2020, me përmbajtje që ishte e ndryshme nga përmbajtja e faturës së proformës.

Mirna Avdibegoviç, avokatja e Fikret Hoxhiç-it, e kundërshtoi, duke deklaruar se faturat pro-forma dërgohen para dorëzimit të mallrave dhe faturat përfundimtare pas dorëzimit.

Ndërtimi i ngjarjes

Një skandal i madh u shfaq në mes të pandemisë COVID-19, sepse Qeveria e Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës prokuroi pajisje mjekësore shpëtuese, të importuara nga Kina, nga kompania “FH Srebrna malina” që prodhon mjedra.

Prokurimi u krye nga Departamenti Federal për Mbrojtjen Civile, njësia brenda qeverisë federale, e cila bleu 100 ventilator mjekësor për njësitë e kujdesit intensiv, duke paguar 5,3 milionë euro për kompaninë bujqësore “FH Srebrna malina” nga Srebrenica.

Gjërat ndoshta mund të kenë qenë të dyshimta për publikun që në fillim sepse “FH Srebrna malina”, siç tregon emri, punonte për prodhimin dhe përpunimin e mjedrave dhe natyrisht nuk ka përvojë me pajisjet mjekësore.

Sipas hetimit, edhe pse u blenë, ventilatorët nuk mund të përdoreshin pasi nuk përmbushnin standardet e nevojshme.

Çështja u shndërrua në një skandal politik, pasi i dyshuari kryesor ishte kryeministri Novaliç, së bashku me Drejtorin e pezulluar të Departamentit Federal për Mbrojtjen Civile, Fahrudin Solak dhe CEO-n e “FH Srebrna malina”, Fikret Hoxhiç.

Këta tre të dyshuar u arrestuan dhe u mbajtën në paraburgim, megjithatë ata menjëherë u lanë të lirë me vendim të Gjykatës me masat ndaluese, megjithëse Prokuroria kërkoi paraburgim njëmujor.

Korrespondencë në grupin Viber “Gensek”

Theksi i prokurorit Pasiç në seancën e gjyqit të 28 korrikut ishte komunikimi përmes grupit “Gensek” në aplikacionin Viber. Fillimisht, ai veçoi atë të 18 marsit të vitit të kaluar, kur Sekretarja e Përgjithshme e Qeverisë së Federatës së BiH-së, Edita Kalajxhiç, i tha Novaliç-it për çmimet e respiratorëve.

Gjithashtu u veçua korrespondenca në grupin e përmendur nga 27 prilli, 2020, në të cilën Pasiç deklaroi se Novaliç dhe ministrja Federale e Financave, Jelka Miliçeviç ishin plotësisht të vetëdijshme për prokurimin e aparateve të frymëmarrjes.

Më tej, u prezantua komunikimi në Viber midis Kalajxhiç dhe drejtorit të Zyrës Federale të Qeverisë, Hasan Ganibegovi. Ai ia përcolli paralajmërimin Kalajxhiç-it për një farë Edvin Kuçukoviç-i, i cili u paraqit në seancën dëgjimore më 4 qershor të këtij viti.

“Ju lutemi përcillni këtë tek kryeministri. Unë dua që ndërgjegjja ime të jetë e pastër në këto kohë të vështira. Kujdes nga respiratorët që keni blerë. Pacientët vdesin nga këto respiratorë për shkak të lodhjes së mushkërive. Këto mund t’ju marrin një mijë copë për 9 mijë dollarë”, ka shkruar Kuçukoviç.

Dhe pastaj, në një mesazh, Ganibegoviç ia përcolli deklaratën e Kalajxhiç, Kuçukoviç-it se ata “morën pikërisht ato aparate për frymëmarrje”.

“Kontrata duhet të zgjidhet”

Avokati i Hoxhiç-it përsëri kundërshtoi këtë korrespondencë, duke pyetur se kush ishte Kuçukoviç, pse ishte i rëndësishëm, sepse ai nuk ishte dëshmitar në këtë rast. Ai  deklaroi se edhe atëherë “kishte një ndjekje mediatike dhe secili kishte mendimin e vet për respiratorët”.

Në komunikimin Viber nga 28 prill 2020, Ganibegoviç i thotë Kalajxhiç se, “Bahra dhe shefi po i prokurojnë respiratorët, nëse Çekia nuk është përfshirë gjithashtu”. Pastaj Kalajxhiç u përgjigj se ishte “tmerr” dhe se “gjithçka duhet të shkatërrohej”.

Në të njëjtën ditë, Kalajxhiç i tha Vivaliç në grupin Viber “Gensek”, se kontrata për furnizimin e aparateve të frymëmarrjes duhet të zgjidhej.

“Shef, kjo kontratë duhet të ndërpritet, sepse respiratorët nuk janë dorëzuar në kohë. Duhet thënë se ata nuk po marrin asgjë”, paralajmëroi Kalajxhiç.

Kryeministri federal, Novaliç e quan Kalajxhiç një “kalama” dhe përgjigjet:

“Kalama, ne nuk mund të heqim dorë sot. Si do ta anulojmë kontratën kur paratë shkuan në Kinë”, tha Novaliç, të cilit Kalajxhiç u përgjigj: “Çfarë na intereson se ku janë paratë, ai nuk dorëzoi mallrat deri më 15 prill”.

Më vonë në korrespondencë, sekretari i përgjithshëm i qeverisë së njësisë arriti në përfundimin se marrëveshja ishte “katastrofike”. Ai vlerësoi se respiratorët e kërkuar nuk ishin dorëzuar.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore