Lajme

Për festa, heqja e kufirit Kosovë-Shqipëri në proces


Takimi mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, më 26 nëntor.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, kanë thënë se për lëvizjen e lirë të mallrave mes dy shteteve Kosovë-Shqipëri pa ndalesë nevojitet për kohë.

“Është duke u punuar që të ketë pika të veçanta të kalimit kufitar, pika të përkohshme të kalimit kufitar në mbi dhjetë fshatra të brezit kufitar. Janë duke u bërë lehtësime tjera si bashkëpunime në ndërlidhje të sistemeve të përbashkëta të kontrollit kufitar”.

“Po punohet për mundësinë që në raste festive, fatkeqësive natyrore apo rrethana të ngjashme për të kaluar kufirin kudo jashtë pikave kufitare”, thuhet në një përgjigje me shkrim të kësaj ministrie për Radio Evropa e Lirë.

Sipas ministrisë, koha që të zbatohen plotësisht të gjitha këto masa dhe veprime nevojitet për shkak të arsyeve teknike, financiare, si dhe atyre të sigurisë.

Më 26 nëntor, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti, kanë kërkuar nga ministrat e dikastereve përkatëse të merren me procedurat të cilat çojnë deri në heqjen e kufirit.

Flamuri i Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Blendi Çuçi, dhe ai i Kosovës, Xhelal Sveçla, kanë rënë dakord që në kufi të vendosen kamera për monitorimin e automjeteve që hyjnë dhe dalin nga vendet dhe të mos kërkohen pasaportat apo letërnjoftimet nga qytetarët që kalojnë kufirin.

Udhëheqësit nga Kosova dhe Shqipëria ndër vite kanë dhënë deklatara të tipit “do ta heqim kufirin mes dy shteteve”, por kjo ende nuk ka ndodhur.

Qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë vazhdojnë t’u nënshtrohen kontrolleve në pikat kufitare që lidhin këto dy shtete.

Në shtator të vitit 2018, ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte deklaruar se kufiri Kosovë-Shqipëri do të hiqet në natën e ndërrimit të moteve.

Një deklaratë të ngjashme për heqjen e kufirit në vitin 2019 e kishte dhënë edhe ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Deklaratë të njëjtë ka dhënë edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti.

Për këto deklarata, vazhdimisht kishte reaguar Qeveria e Serbisë, e cila i konsideronte rrezik për paqen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore