Kosova

Për burrin që vrau gruan në Skenderaj, RrGK kërkon dënim maksimal


Rrjeti i Grave të Kosovës përmes një postimi në Facebook ka kërkuar dënim maksimal ndaj 51-vjeçarit që dyshohet se vrau gruan e tij 48-vjeçare të mërkurën në Llaushë të Skënderajt.

“Edhe një grua vdiq në vendin në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të dënimeve dhe me dënime të ulëta.Prandaj, RrGK kërkon hetim të këtij rasti deri në provën e fundit si dhe kërkon dënim maksimal ndaj të akuzuarit”, thuhet nw ragimin RrGK-së.

“Vrasjet e një pas njëshme tregojnë se veprimet dhe vendimet e organeve të drejtësisë nuk janë duke ndikuar në parandalimin e vrasjeve të grave dhe këto veprime e vendime vetëm sa po i motivojnë edhe më shumë dhunuesit, kurse po demotivojnë gratë dhe vajzat për të kërkuar drejtësi e për të raportuar rastet e dhunës”.

Një grua është vrarë me armë zjarri në fshatin Llaushë të Skenderajt të mërkurën pasdite.

“Me të pranuar informacionin, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se personi i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës (gruas së tij) L.Q., 48 vjeçare, e cila kishte pësuar lëndime të rënda, të njëjtën me urgjencë e kanë dërguar në spitalin rajonal në Mitrovicë”, thuhet nga policia.

Si pasojë e plagëve, gruaja ka vdekur dhe i dyshuari është arrestuar derisa këtij të fundit i është sekuestruar edhe arma.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore