Lajme

Për BE-në transporti hekurudhor rus për në Kaliningrad nuk është i ndaluar


Mallrat ruse të sanksionuara mund të kalojnë tranzit nëpër territorin e bllokut me hekurudhë, sipas ekzekutivit të Bashkimit Evropian.

E gjitha pasi tensionet midis Moskës dhe Lituanisë anëtare të BE-së janë përshkallëzuar për shkak të tregtisë me enklavën ruse të Kaliningrad-it.

Muajin e kaluar, pasi kryeqyteti Vilnius vendosi kufizime të rrepta për mallrat që udhëtojnë nëpër territorin e vet, Rusia kërcënoi me hakmarrje kundër vendit baltik.

Moska kërkoi që Lituania të heqë menjëherë kufizimet dhe po ashtu ka treguar se ua kishte dërguar ankesat e saj autoriteteve evropiane.

Komisioni Evropian, në udhëzimin ligjor, ka ravijëzuar se Lituania kishte detyrimin të lejonte tranzitin e mallrave të sanksionuara, me përjashtim të armëve, midis Rusisë dhe Kaliningrad-it.

“Tranziti i mallrave të sanksionuara në rrugë me operatorë rusë nuk lejohet sipas masave të BE-së. Nuk ekziston një ndalim i tillë i ngjashëm për transportin hekurudhor”, ka bërë me dije komisioni.

Sakaq, ka shtuar se shtetet e BE-së duhet të kontrollojnë trena të tillë.

Komisioni ka theksuar rëndësinë e monitorimit të flukseve tregtare të dyanshme midis Rusisë dhe Kaliningrad-it për të siguruar që mallrat e sanksionuara nuk mund të hyjnë në territorin doganor të BE-së.

Po ashtu ka vijuar se transporti i mallrave të sanksionuara ushtarake dhe me përdorim të dyfishtë ishte i ndaluar pavarësisht nga mënyra e transportit.

Ministria e Jashtme e Lituanisë ka bërë me dije se kryeqyteti Vilnius do t’i përmbahet këshillave të ekzekutivit të BE-së.

Sidoqoftë, sipas deklaratës, rregullat e mëparshme tregtare që bllokuan shumë ngarkesa të sanksionuara nga transporti midis Rusisë kontinentale dhe Kaliningrad-it ishin “më të pranueshme”.

“Rregullat e tranzitit të Kaliningrad-it mund të krijojnë një përshtypje të pajustifikuar se komuniteti transatlantik po zbut pozicionin e tij dhe politikën e sanksioneve ndaj Rusisë”, shkruhet në deklaratë.

Kaliningrad-i mbulon një zonë afërsisht sa gjysma e madhësisë së Zvicrës dhe është shtëpia e më shumë se një milion njerëzve.

E marrë nga Ushtria e Kuqe nga Gjermania në fazat e fundit të Luftës së Dytë Botërore, ajo u nda nga Rusia pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik kur Lituania u bë shtet i pavarur.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore