Sport

Për Albanian Post burime nga Kastrioti flasin rreth ngjarjes në ndeshjen me Tiranën


Gjatë ndeshjes së djeshme kampionale mes Tiranës dhe Kastriotit, kanë rënë në prangat e policisë presidenti i klubit të Kastriotit, Alban Vogli dhe Drejtori Teknik i po të njëjtit klub, Gazmend Vogli.

Kjo ndërprerje erdhi pas golit të vetëm në ndeshje, të shënuar nga Tirana.

Sipas krutanëve, ky gol erdhi si rrjedhojë e mosrespektimit të fair play-t nga klubi kryeqytetas, i cili me golin e Hoxhallarit, arriti të sigurojë edhe tre pikët.

Burime nga klubi i Kastriotit, flasin për Albanian Post rreth ngjarjes.

“Gjatë ndeshjes së djeshme Tirana-Kastrioti, në shumë momente pati faulla dhe dëmtime të lojtarëve të Tiranës. Futbollistët e Kastriotit gjithmonë nxirrnin topin jashtë duke respektuar fair play-n”.

Por, të njejtën gjë nuk e bëri edhe Tirana, sipas tyre, “Krejt e kundërta ndodhi në momentin para sherrit, ku lojtarët e Tiranës nuk e respektuan dhe si rrjedhojë erdhi goli”.

“Krutanët protestuan për fair play-n e munguar nga Tirana dhe kërkuan që të ndiqej shembulli i Partizani-Kukësi, gjë e cila nuk u respektua”.

“Kjo shkaktoi momente nervozizmi”, ku burime nga Kastrioti tregojnë për Albanian Post se “trajneri dhe drejtori sportiv u futën në fushë për të qetësuar gjakrat”.

“Po në ato momente, edhe presidenti i klubit të Kastriotit, Alban Vogli, zbriti nga tribuna”.

Ndryshe nga raportimi i policisë, te Kastrioti burimet e Albanian Post shtojnë “që presidenti nuk u fut në fushë, por u shoqërua menjëherë nga forcat e rendit”.

“Gjatë sherrit ka pasur normalisht dhe grushte mes palëve”, mbyllin ata.

Trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu, pas ndeshjes tha që “Tirana nuk e respektoi fair play-n dhe që loja duhej ndalur para golit”.

Kurse, në anën tjetër, trajneri i Tiranës, Orges Shehi, thotë se “skuadra e tij nuk është anti-fair play, por është fair-play më shumë se ç’duhet”.

Kastrioti është në vendin e shtatë, vetëm një pikë mbi vendin e tetë dhe nëntë, dhe lufta për mbetjen në Superiore në këto javët e fundit, pritet të jetë shumë e ashpër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore