Shqipëria

Për 7 muaj janë rritur të ardhurat në krahasim me vitin paraardhës, thotë Ministria


Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka bërë përmbledhjen paraprake 7-mujore dhe rezulton se të ardhurat totale u realizuan në masën 326.7 miliardë lekë ose 104 % të planit.

Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me 44.9 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, shpenzimet e përgjithshme publike arritën ne rreth 311 miliardë lekë me një realizim në masën 87 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar 567 milion lekë më pak.

Në këtë realizim kanë ndikuar faktorë.

Sipas ministrisë, të ardhurat doganore u rritën me 20.4% ose thënë ndryshe me 20.8 miliardë lekë.

17.9 % ishte masa e rritjes së të ardhurave tatimore për këtë 7-mujor, krahasuar me vitin paraardhës.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 25.7 miliardë lekë, 2.9 miliardë lekë ose 12.5% më shumë se 7 mujori 2021, si dhe 443 milionë ose 1.7% më pak se plani i 7 mujorit 2022.

Për sa i përket shpenzimeve, ato të grupit korent dhe kapital kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 97 për qind dhe 69 për qind të planit të periudhës.

Shpenzimet korente për periudhën 7 mujore të vitit 2022 rezultuan në rreth 265.6 miliardë lekë , ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 3.2 për qind më i lartë ose rreth 8.3 miliardë lekë më shumë.

Autoritetet bëjnë me dije se , niveli i suficitit për periudhën 7 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 15.7 miliardë lekë nga rreth 45.5 miliard lekë deficit i planifikuar.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 29.8 miliardë lekë, për periudhën 7 mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore