Lajme

Për 48 orë ndalohet i mituri që theri për vdekje bashkëmoshatarin e tij në Prishtinë


Shkolla “Hilmi Rakovica”, Prishtinë

Të miturit të dyshuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij, një ditë më parë në Prishtinë, i është caktuar masa e sigurisë mbajtje prej 48 orësh.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se me aktvendim të prokurorit nga Departamenti për të Mitur, është ndaluar i dyshuari (i mitur), i moshës 15 vjeç, “për shkak të dyshimit se më 01.03.2022, në Rr.“Fahri Fazliu”, në Prishtinë, ka privuar nga jeta tani të ndjerin (i mitur), i moshës 14 vjeç, me një mjet të mprehtë (thikë)”.

I dyshuari që tani është në mbajtje me urdhër të prokurorit, ngarkohet se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të parapara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndaj të njëjtit, prokurori i Departamentit për të Mitur, do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme procedurale.

Ndërsa, me urdhër të prokurorit viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

Prokurori i çështjes do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin dhe ndriçimin e plotë të kësaj çështje penale.

15 vjeçari i dyshuar për vrasjen e 14 vjeçarit në në rrugën “Fahri Fazliu”, në mëngjesin e 1 marsit u dorëzua në Polici pak orë pasi kishte kryer veprën.

“Personi i dyshuar E.V, mashkull 15 vjeç, është dorëzuar në polici dhe i njëjti është në masën e arrestit policor. Personit të dyshuar  i është sekuestruar një armë e ftohtë thikë, që dyshohet të jetë përdorur në rast”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.

Viktima është therur me thikë për vdekje, derisa po shkonte në shkollën “Hilmi Rakovica”, ku po vijonte klasën e nëntë.

PK-ja, bën të ditur se kanë filluar të gjitha procedurat lidhur me këtë rast.

“Në prezencë të avokatit të personit të dyshuar, në koordinim me prokurorin e shtetit si dhe zyrtarët e Qendrës për punë sociale, hetuesit ndaj tij kanë filluar procedurat e nevojshme policore”.

Më 1 mars, një djalë 14 vjeç ka ndërruar jetë pas plagëve të marra me thikë në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për Albanian Post se rasti ka ndodhur rreth orës 7:3o në rrugën Fahri Fazliu.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore”.

“Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se  personi ka marrë lëndime të rënda nga një mjet i mprehët (thikë) dhe i njëjti është dërguar në Qendrën e mjekësisë Familjare (QMF), ku dhe është konstatuar vdekja e tij”, ka treguar Ahmeti.

Sipas, Skënder Halimit, drejtorit të shkollës “Hilmi Rakovica”, Skender Halimi, 14 vjeçari nuk ka vdekur brenda objektit të shkollës, por afër qendrës së mjekësisë familjare në këtë lagje, ku dyshohet edhe që është therur me thikë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore