Sport

Pep Guardiola: UEFA dhe FIFA po vrasin futbollistët


Pep Guardiola po synon që të udhëheq Manchester City-n në gjysmëfinale të Champions-it për herë të parë që nga ardhja e tij në klub.

Kryesuesit e Premier League-s do përballen me Borussia Dortmund-in në çerekfinale, dhe cilësohen favorit përkundër rrezikut që ofron Erling Braut Haaland.

Por, trajneri spanjoll i Manchester City-t mendon që puna e tij nuk po lehtësohet fare për shkak të numrit të madh që skuadra duhet të luaj.

Në konferencën para ndeshjes me Dortmund-in, Guardiola tha:

“Ata janë njerëz, nuk janë makina”.

“Disa nga futbollistët janë të nervozuar sepse nuk mund të luajnë çdo ditë”.

“Të luash pa fansa në të gjitha kompeticionet, në një hapësirë kaq të shkurt mes ndeshjesh, është e pamundur që të jesh në nivelin që jemi ne po të mos bësh rotacion në çdo ndeshje”.

Më pas, Guardiola i lavdëroi futbollistët e tij, duke e çmuar mentalitetin e tyre.

“Ata duan të luajnë çdo ditë, ata mund të luajnë çdo ditë”, tha spanjolli, “por, ata kanë nevojë për pushim”.

“UEFA dhe FIFA po vrasin futbollistët, kjo është e tepruar”.

“Nuk kemi pasur asnjë mesjavë të lirë që nga fillimi i sezonit, absolutish asnjë”, shtoi Guardiola, “nuk ka asnjë futbollist që mund të përballoj këtë, jo vetëm fizikisht, por edhe mentalisht, është e pamundur”.

Më pas, trajneri i City-t foli edhe rreth zërave për interesim e klubit të tij për Haaland-in.

“Ai është një sulmues fantastik, por nuk është ideale për mua që të flas për të. Ai nuk është lojtari im”, tha Guardiola.

“Numrat flasin për vete, ai është një futbollist i mrekullueshëm, kjo është e tëra”.

City është eliminuar në çerekfinale të Champions-it në dy sezonet e fundit, një herë nga Tottenham-i dhe një herë nga Lyon-i.

Për herë të fundit, Guardiola ka fituar Champions-in një dekadë më parë, me Barcelonën në vitin 2011.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore