Bota

Pentagoni kufizoi detyrat e komandantit të Gardës përpara protestave në Capitol


Pentagoni kufizoi detyrat e komandantit të Gardës Kombëtare në Washington D.C., pikërisht përpara fillimit të protestave që ndodhën në Capitol në 6 janar 2021. Këtë detaj e ka bërë me dije vetë Gjeneral Major, William Walker.

Sipas Walker-it, atij iu kërkua një konfirmim nga gradët më të larta për të nisur trupat e Gardës drejt Capitol-it. Kjo gjë shkaktoi vonesa në përgjigjen ndaj protestave, duke i përshkallëzuar më tej ato.

Në pjesën më të madhe të rasteve, komandantët lokalë kanë autoritetin të vendosin. Ata mund të ndërmarrin aksione ushtarake për të shpëtuar jetë. Rastet e dëmtimeve të pronës publike, janë gjithashtu të parashikuara.

Pentagoni, gjithsesi, e hoqi këtë pushtet nga komandanti i Gardës së Washington D.C. Në çastin kur ai mori thirrjen e policisë, me pohimin se protestuesit po futeshin në Capitol, veprimi i menjëhershëm ishte i pamundur.

Nëse këto akuza të gjeneralit konfirmohen, mund të ketë ndikim përsa i përket procesit që është ngritur ndaj ish-presidentit, Donald Trump. Ai akuzohet për krime të rënda dhe kundravajtje ligjore, në lidhje me nxitjen e protestave të Capitol-it.

Disa homologë të gjeneralit Walker, kanë njoftuar autoritetet se edhe ndaj tyre është ndërmarrë një kufizim i tillë përgjegjësish. Kjo gjë, mund të jetë varur drejtpërdrejt nga paaftësia e Trump-it për të zbatuar fuqinë e tij kushtetuese.

Procesi ndaj ish-presidentit në Senat, do të mbahet në gjysmën e dytë të shkurtit. Nga një votim paraprak, duket i vështirë shkarkimi i tij. Vetëm pesë senatorë republikanë janë të gatshëm të votojnë pro kërkesës së demokratëve. Për shkarkimin, duhen të paktën 17 vota republikanësh.

Mbetet për t’u parë nëse këto deklarata që kanë dalë në dritë nga drejtuesit e Gardës Kombëtare, do të ndikojnë në votimin për shkarkim të presidentit Trump./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore