Kampionë

Pensionimi nga boksi, Fury bën “prapakthim”: Të gjithë e kanë një çmim


Tyson Fury nuk ka në plan të kthehet në ring, pas vendimit për t’u tërhequr nga boksi. Por, ai ka pranuar se do e konsideronte një rikthim nëse do të merrte 500 milionë paund.

Mbreti “Gypsy” mori vendimin për të varur dorezat pasi mundi Dillian Whyte para një turme që kishte mbushur “Wembley”-n në prill.

Shumë njerëz dyshojnë se Fury i ka dhënë fund karrierës në këtë sport. Ai është pyetur disa herë në daljet e tij pas fitores në prill, nëse ka në plan të rikthehet.

Megjithatë, në intervistën më të fundit, të realizuar në “iFL TV”, britaniku pranoi se ka vetëm një kusht për t’u rikthyer, paratë.

“Gjithçka është në shitje, gjithçka ka një çmim. Në 500 milionë funte, është çmimi im”, tha kampioni i peshave të rënda WBC për “iFL TV”.

“Nëse dikush është i gatshëm ta paguajë atë, atëherë me kënaqësi do t’i jap atë që dëshiron”.

“Nëse dikush dëshiron ta paguajë, atëherë ai e di se ku të vijë”, vijoi Fury.

Fury së fundmi i tha “Good Morning Britain” se do të donte 500 milionë paund për të luftuar me fituesin e revanshit të Anthony Joshua me Oleksandr Usyk.

Ndeshja e kthimit është konfirmuar se do të zhvillohet në Arabinë Saudite më 20 gusht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore