Futboll

Pengmarrja në shtëpinë Smalling ka një fund të lumtur…


Mbrojtësi i Roma-s Chris Smalling dhe bashkëshortja e tij Sam Cooke, kanë shpëtuar gjallë nga pengmarrja e një grupi hajdutësh brenda banesës së tyre, në kryeqytetin e Italisë (Roma).

Ora shënonte 4:00 e mëngjesit të së premtes (16 prill) dhe ndërkohë që çifti flinte në dhomën e gjumit, tre burra të maskuar me kapuça dhe me armë në duar, hynë brenda duke i kërkuar të para dhe të mira materiale.

Së bashku me gruan dhe djalin 2 vjeç, brenda vilës së Smalling gjendej edhe mamaja dhe motra e tij.

Hajdutët vodhën disa ora “Rolex”, varse dhe stoli të tjera me vlerë rreth 120 mijë euro, por fatmirësisht, u larguan nga banesa pak çaste pasi morën çfarë kërkonin, pa lënduar askënd.

Ishte Sam ajo që theu heshtjen e para, duke falënderuar të gjithë mbështetësit si dhe duke vendosur kryefjalë për hajdutët të cilët e lanë familjen e saj të tronditur:

“Falenderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur në këtë episod ë vështirë që na ka tronditur por fatmirësisht, dolëm të gjithë shëndosh e mirë. Bashkëshorti im e menaxhoi situatën shkëlqyeshëm”, shkroi Sam në Instagram.

“Dëshiroj t’i sugjeroj të gjithë atyre që jetojnë si hajdutët që hynë në dhomën tonë të gjumit në orën katër të mëngjesit duke na kërcënuar me armë në kokë, ta rimendojnë jetën e tyre e të përpiqen maksimalisht të ndërrojnë rrugë sepse kurrë nuk është vonë. Kurrë nuk është vonë të jetosh jetë më të mirë dhe më dinjitoze; si burra të vërtetë e jo si minj”, përfundoi Sam.

Nga ana tjetër, Smalling shkroi në Twitter: “Edhe pse disi të tronditur, unë dhe familja ime dolëm pa dëmtime nga kjo ngjarje. Shpresoj të gjejnë (hajdutët) një mënyrë për të jetuar në mënyrë më të ndershme dhe mos të transmetojnë traume, stres dhe të dëmtojnë të tjerë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore