Lajme

Pekini raporton rastin me Omicron tre javë para Lojërave Olimpike Dimërore


Në Pekin është zbuluar një rast i transmetuar brenda vendit i variantit  infektiv Omicron të COVID-19, duke ngritur shqetësime të reja javë përpara se qyteti të presë Lojërat Olimpike Dimërore.

Gazeta “The Wall Street Journal” tregon se varianti ka mbërritur atje paçka se kryeqyteti kinez është vënë në gatishmëri të lartë përpara mbërritjes së atletëve ndërkombëtarë.

Përhapja lokale e Omicron-it është raportuar për herë të parë një javë më parë në qytetin Tianjin, i cili është fqinjë me Pekinin.

Prej atëherë, varianti është përhapur në qytete të tjera kineze.

Zyrtarët kanë bërë me dije se Omicron-i është zbuluar për herë të parë të shtunën e 15 janarit në mëngjes, pasi personi kishte temperaturë të ulët dhe iu nënshtrua një testi vullnetar.

Pas rezultatit pozitiv, zyrtarët komunalë të shëndetësisë izoluan kompleksin e banimit të pacientit, si dhe ndërtesën e zyrës ku punon.

Gjithashtu urdhëruan bërjen e më shumë se dy mijë testeve për njerëzit në ato vende.

Ata publikuan edhe një listë të vendeve që ai kishte vizituar në dy javët e fundit, duke përfshirë qendrat tregtare, restorantet dhe një vendpushim të ri skish që nuk po përdoret për Lojërat Olimpike.

Kurse qytetarëve që kanë kaluar nëpër ndonjë nga ato vende në të njëjtën kohë me të, u është thënë që të raportojnë dhe të ndjekin rregullat e karantinës.

Në rast të kundërt, ata i pret përballja me ligjin.

“Bashkëpunimi juaj është jetik për kontrollet e kryeqytetit për COVID-in”, ka thënë Pang Xinghuo, zëvendësdrejtor i Qendrës bashkiake të qytetit për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Pang ka treguar se qyteti po përballej me kërcënimin e rasteve të importuara dhe të transmetuara brenda vendit.

Dhe se me rëndësi është arritja e planit “zero-COVID”.

Anembanë Kinës, qytetet kanë arritur në një plan relativisht të qëndrueshëm të bllokimeve dhe testimeve masive për të mbytur shpërthimet e virusit.

Në Xi’an autoritetet kanë mbyllur 13 milionë banorët e qytetit në shtëpitë e tyre për javë të tëra teksa përpiqen të marrin rastet nën kontroll.

Ndërsa në Tianjin, autoritetet kanë nisur një fushatë testimi masiv të të gjithë popullsisë prej 14 milionë banorësh të qytetit, pasi u identifikuan dy raste të transmetimit lokal të variantit Omicron.

Lojërat Olimpike Dimërore kanë ushtruar presion mbi zyrtarët e Pekinit për të mbrojtur kryeqytetin mes një fluksi udhëtarësh ndërkombëtarë që mund të sjellin virusin nga jashtë.

Pekini ka marrë masa që pjesëmarrësit e Lojërave Dimërore të veprojnë në një pistë të izoluar nga pjesa tjetër e qytetit.

Nga ana tjetër, zyrtarët kanë thënë se po synojnë që rastet e importuara të lidhura me Lojërat Olimpike Dimërore të mos përshkallëzohen dhe të përhapen në transmetimet vendase.

Dhe se qindra klinika mjekësore të qytetit po monitorojnë nga afër infektimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore